Kush është 31-vjeçari me 3 emra që u ekzekutua në Vlorë

01:08 | 4 Mars 2021
Trina Galanxhi

31-vjeçari Taulant Beqiraj u ekzekutua pasditen e së mërkurës në mes të qytetit të Vlorës me breshëri kallashnikovi. Lapsi.al ka mësuar detaje të reja nga e shkuara e viktimës pasi rezulton se ai nuk ka qenë një emër i panjohur për drejtësinë.

Beqiraj i cili kishte mbajtur në të kaluarën edhe 2 emra të tjerë Taulant Gjikaj apo Taulant Manaj. Ai ishte arrestuar për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ai u kap nga policia e Vlorës duke udhëtuar në makinë i armatosur edhe pse ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi u përfshi në një përplasje mes bandave në Vlorë në vitin 2017. Në makinë, Manajt iu gjet një armë tip pistoletë luftarake “Baretta”, kalibër 9mm, lëndë narkotike 0.688 gram, karikator me fishekë dhe 1250 euro.

Ai u lirua në vitin 2018 nga gjykata që i ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Tauland Beqiraj u arrestua nga policia për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Gjykata e Vlorës e deklaroi fajtor për armëmbajtje pa leje duke e dënuar me 3.5 vite burg dhe për veprën “Largim nga vendi i qëndrimit të burgosurit” duke e dënuar me 6 muaj burg. Por me uljen 1/3 të dënimit ai u la në burg për 2 vite e 4 muaj ndërsa doli i pafajshëm për veprën “Prodhim e shitje narkotikësh”.

Manaj u vra rreth orës 14:20 të së mërkurës, në lagjen “Bashkimi” të Vlorës, ndërsa iu gjet edhe një pistoletë me vete. Manaj ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra. Deri më tani është kapur një prej autorëve të dyshuar të vrasjes dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Pista kryesore e ekzekutimit është e shkuara e tij kriminale.

Taulant Gjikaj është djali i një ish-punonjësi policie. Ai po ecte në këmbë kur nga një makinë Ford ngjyrë gri, në lëvizje dolën 2 persona që e ndalën dhe pas pak sekondash njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri me kallashnikov. Siç duket nga kamerat e sigurisë autorët kanë qenë 3 persona të cilët kanë qenë të pamaskuar.

Pasi qëlluan autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kalimtarët njoftuan policinë dhe në afërsi të pyllit të Sodës u arrestua Andi (Hansi) Jonuzaj, 44 vjeç. Ky tha se nuk e ka vrarë ai Beqirajn dhe se nuk ka lidhje me ngjarjen. Në makinë iu gjet një armë kallashnikov e cila po verifikohet nëse është ajo që u përdor në krim. /lapsi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme