Google ADS

Historia e “Gashve të gurit” dhe “Gashve të lloqit”

14:02 | 28 Shkurt 2021
Arbresh.info

Sigurisht se keni dëgjuar, por nuk keni ditur në hollësi për “Gasht e gurit” e “Gasht e lloqit”, që kryesisht prejardhjen e kanë prej Janjevës.

Janjeva është një nga fshatrat më të vjetra që ka ruajtur ndër vite historinë e saj.

Ajo gjendet e rrethuar me kodra të larta, e malet të cilat janë të ngjitura afër shtëpive, shtëpi këto të gërshetuara afër njëra tjetrës me një strukturë interesante.

Ndryshe ky vend njihet për popullsinë e përzier nderë vite e ku  brenda saj kanë jetuar etnitetet të ndryshme si shqiptarë, kroat, rom e ashkali.

Mbiemri Gashi është një nga mbiemrat më karakteristikë në këtë vend për faktin se ata ndryshe njihen edhe si “Gasht e Gurit”, e që sipas banorëve, kjo gjë karakterizon trimërinë.

Për këtë disa nga banorët na treguan se si dhe nga ka ardhur ky pseudonim.

Zonja Fevzie një grua e moshuar na dha rrëfimin e saj plotë nostalgji e mall për kohen e kaluar në Janjevë.

“Unë jam e ardhne në Janjevë. Jam e martume ktu, e në Janjevë u kanë  e para shkollë që u qel. Janjeva ka pasur kroat shumë e ka pasur rrnesë të mirë shumë të mirë janë kanë këta kroat. E plaki jem shkojke ne turki bike tesha, veç vishin kroat i kapshin teshat edhe shkojshin nëpërë shpija i matshin, i veshin, se dishim kush i ka marr veç shumë besnika janë kanë, t’i bishin meniher paret e t’i dhojshin. Qetash nom kanë nis mu nreq rrugët, a kroat u hoqën, i hoq Serbia.”

E pyetur se si dhe nga ka ardhur emri, “Gasht e gurit”, ajo tha  se më herët i kanë ndarë “Gasht e gurit” dhe “Gasht e lloqit”.

“Se janë njerëz të mir edhe për ata ju kanë than “Gash të gurit” edhe Gash të lloqit”, këta të lloqit s’janë bash në rregull, e kta tjerët janë të mirë, punëtor, janë besnika.

“Gasht e gurit”, sipas banorëve tregon trimërinë, bujarinë e besnikërinë ndër vite andaj sot e kësaj dite akoma mbahet ky “titull”.

Një gjë të tillë na e tha edhe një banorë tjetër i moshuar i fshatit Janjevë.

Azem Berisha një banorë i këtij fshati na shpjegoji se “Gasht e gurit” përkufizojnë fjalën trimëri.

“Ka e kanë marr nuk muj me ditë kjo thirret në kohën e përparshme që u kanë i kanë thanë vetës si trima si Gashi gurit, se gati 12 fise janë kanë ma të livdushme dhe nga këto fise ka rrjedhur kjo Gash të gurit, me një fjalë fjalë trimnie”, ka thënë Berisha.

E ndërkaq një pjesë e rinisë që jetojnë dhe veprojnë në fshatin Janjevë nuk janë të informuar mirë se si dhe nga ka rrjedhur ky pseudonim për Gasht.

Florim Gashi tregoi për ne se ai është në dijeni vetëm se si dhe nga kanë ardhur të parët e tij në Janjevë, por që asnjëherë nuk ka arritur të dijë se pse Gasht quhen ashtu.

“Qyteza e Janjevës është një vend i lashtë më herët ka pas kafene më shumë por për momentin është pak ma. Unë jam i ri me ditë pak a shumë për mbiemrin Gashi por qysh kom ni prej të vjetërve tanë dhe qysh kam lexu na e kem mbiemrin prej anës Tropojës, mandej jemi shkep nëpër Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe Janjeva është vendlindja e shkrimtarit të mirënjohur Shtjefën Gjeçovit e po ashtu dikur Janjeva kishte qenë mjaftë e përmendur, sepse nga minierat e saj nxirrte ari e argjend./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme