Nigeri: Dy të vdekur, qindra të arrestuar në dhunën pas zgjedhjeve

08:07 | 26 Shkurt 2021
Arbresh.info

Të paktën dy njerëz janë vrarë dhe qindra janë arrestuar në dhunën pas zgjedhjeve të Nigerisë.

Dhuna shpërtheu të martën pasi komisioni zgjedhor shpalli ish-ministrin e brendshëm Mohamed Bazoum fitues në votimin e balotazhit të së dielës me 55.75 përqind, ndërsa kandidati i opozitës Mahamane Ousmane grumbulloi 44.25 përqind.

Ousmane kundërshtoi rezultatin dhe pretendoi se ai fitoi ngushtë me 50.3 përqind të votave, shkruan AlJazeera.

“Numri është dy të vdekur,” u tha Ministri i Brendshëm, Alkache Alhada, gazetarëve të enjten, duke shtuar se 468 arrestime ishin kryer “përfshirë politikanë të caktuar” të cilët ai nuk i identifikoi.

Njëra nga dy vdekjet ndodhi si rezultat i një gjendje epileptike gjatë një proteste, tha Alhada, duke shtuar se tjetri, i cili u qëllua për vdekje, ishte truproja i politikanit Seini Oumarou, një kandidat i pasuksesshëm në raundin e parë të votimit më 27 dhjetor i cili kishte nxitur mbështetësit të votojnë për Bazoum në balotazh.

Kishte gjithashtu “shkatërrim të infrastrukturës, të pronës publike dhe private”, transmeton arbresh.info.

Alhada akuzoi një figurë të shquar të opozitës, Hama Amadou, si “personin kryesor përgjegjës” për trazirat.

“[Amadou] po kërkohet dhe si zakonisht ai është në arrati, por ne do ta gjejmë atë,” tha Alhada.

Amadou u ndalua të garojë në zgjedhje për shkak të një dënimi për trafik foshnjash – një akuzë që ai thotë se ishte e motivuar politikisht – dhe hodhi mbështetjen e tij pas Ousmane.

Presidenti Mahamadou Issoufou po largohet vullnetarisht nga posti pas dy mandateve pesë-vjeçare, duke hapur rrugën për tranzicionin e parë të zgjedhur që nga pavarësia nga Franca në 1960.

Policia u përplas me demonstruesit në kryeqytetin, Niamey, të martën dhe të mërkurën, ndërsa në Dosso, 100 km (60 milje) në jug të qytetit, zyrat e një partie pro-qeveritare u dëmtuan nga zjarri./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme