Për herë të parë Topalli flet për gabime të Berishës: Kishte korrupsion në mandatin e dytë

00:49 | 24 Shkurt 2021
Trina Galanxhi

Kryetarja e “Lëvizjes për Ndryshim”, Jozefina Topalli, dikur numri “2” i Partisë Demokratike dhe krahu i djathtë i Sali Berishës në pushtet, sot thotë se janë bërë edhe gabime.

Në një intervistë në emisionin “Open” ajo tha se nuk distancohej nga PD për të gjitha arritjet që vendi ka pasur gjatë kohës që ishin në qeveri, por për herë të parë foli edhe për gabime të Sali Berishës.

“Në shëndetësi, qeveria ishte e detyruar për t’ua dhënë aleatëve. Të mbajnë përgjegjësinë ata për atë që bënë. Ne i jepnim një shumë të madhe buxheti, por është tjetër gjë sa punë bënë ata.

Ka pasur korrupsion më shumë në mandatin e dytë të qeverisjes. Nuk jam dakord as me mënyrën si jemi marrë me pronat, por jam shumë krenare që u futëm në NATO. Jam shumë krenare për shumë reforma të tjera që u morën në të mirë të interesit publik,” – tha Topalli.

Ajo mohoi se po përçante votat e së djathtës në Shkodër dhe se sipas saj ata që do ta mbështesin nuk do të votonin për PD-në.

“Së pari, nën përgjegjësi do të them që më shumë demokratë janë jashtë PD se sa brenda. Nuk i heq asnjë votë askujt. Ato vota nuk shkojnë kurrë tek Lulzim Basha. Ftesa ime është për të gjithë ata që janë krejt të pakënaqur me Edi Ramën dhe me rritjen e korrupsionit, as me Ilir Metën, as me Lulzim Bashën” – tha Topalli që nuk e sqaroi se me kë do të bënte koalicion pas zgjedhjeve.

“Vendi ynë është pa opozitë reale dhe nuk e kam fjalën vetëm tek djegia e mandateve apo dorëzimi i këshillave bashkiakë që është gjëja më e papërgjegjshme që nuk do të guxoja ta çoja ndërmend. Pse duhet të mendojmë se është ose Edi Rama ose Lulzim Basha me Ilir Metën” – tha Topalli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme