I emëruari në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA Merrick Garland e quajti mësymjen e 6 janarit nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump në Kapitol sulmin “më të egër” ndaj demokracisë dhe u zotua të ndjekë hetimet “kudo që ato të çojnë”.
“Kurrë nuk e prisja të shihja giçka të tillë në jetën time,” i tha 68-vjeçari Garland Komisionit Gjyqësor të Senatit të hënën në seancën e tij të konfirmimit për t’u bërë zyrtari më i lartë ligjzbatues i vendit në krye të Departamentit të Drejtësisë.
“Mund t’ju siguroj se kjo do të jetë përparësia ime kryesore dhe tema e pare që do të ndjek” nëse konfirmohem, tha zoti Garland, i cili më parë ka shërbyer si ish-zëvendës ndihmës i prokurorit të përgjithshëm në Sektorin Penal të Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së presidentit Klinton.
Më shumë se 200 protestues, shumë prej të cilëve me pikëpamje ekstremiste, anti-qeveritare, janë arrestuar tashmë pas sulmit që la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer policie.
Turma e mbështetësve të Trumpit theu xhamat e dritareve, vandalizoi zyra të Kongresit dhe u përlesh me policinë ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve, ku Trump humbi ndaj demokratit Joe Biden.
Garland, tani një gjykatës federal në gjykatën e apelit në Uashington, tha se nëse konfirmohet, ai do të “hetojë më thellë” rreth udhëheqësve të trazirës, pikëpamjeve të tyre ideologjike dhe financimit të tyre. Garland tha se do të sigurohej që prokurorët dhe hetuesit të kenë të gjitha burimet që u duhen për të kryer hetimin.
Pas një periudhe herë-herë të trazuar për Departamentin e Drejtësisë gjatë mandatit katër-vjeçar të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, Garland u zotua ta mbajë larg politikën nga procesi i vendimmarrjes në këtë agjenci, një nga më të rëndësishmet e administratës.
“Unë nuk jam avokati i presidentit,” tha ai, duke shtuar se zoti Biden kishte premtuar të mos marrë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e Departamentit të Drejtësisë për çështjet që do të ndiqen nga ky departament.
“Asnjë hetim nuk do të fillojë për qëllime politike,” tha zoti Garland. Ai tha se do të jepte dorëheqjen nëse i kërkohej të bënte ndonjë gjë të paligjshme.
Garland, i cili pritet të konfirmohet edhe me mbështetjen tashmë të shpallur të republikanëve, u përpoq të siguronte ligjvënësit republikanë se ai nuk ka ndërmend të frenojë hetimet e filluara nga prokurorët e emëruar nga ish presidenti Trump.
Garland tha se ai nuk e kishte diskutuar hetimin aktual federal të Hunter Bidenit, djalit të presidentit, me udhëheqësin e ri në Shtëpinë e Bardhë. Hetimi përfshin transaksionet financiare jashtë vendit dhe pagesat e taksave të Bidenit të ri. Presidenti Biden dhe djali i tij kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje.
Përveç kësaj, zoti Garland i tha senatorit Chuck Grassley, udhëheqësi republikan në Komisionin e Drejtësisë, se nuk kishte “asnjë arsye” për t’i dhënë fund një hetimi që po vazhdon e që po shqyrton nëse administrata Obama hetoi në mënyrë të paligjshme mbështetjen e Rusisë ndaj zotit Trump gjatë fushatës së vitit 2016, përpara fitores së papritur të Trumpit ndaj ish sekretares së Shtetit Hillary Clinton.
Garland premtoi se nëse konfirmohet, do të flasë me prokurorin special për këtë çështje, John Durham, “për të parë se si po shkon puna”. Durham u zgjodh për këtë detyrë nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, William Barr.
Garland i tha senatorit republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut se prokurorët duhej të jenë “shumë të kujdesshëm” në lidhje me përdorimin e urdhrave të bastisjes nën pretendimin e sigurisë kombëtare në hetime, një praktikë që disa republikanë thonë se gabimisht çoi në hetimin e lidhjeve të pretenduara të Trumpit për përfshirjen e Moskës në zgjedhjet e vitit 2016.
Në fjalën e tij të hapjes, Garland u angazhua për të luftuar diskriminimin në jetën amerikane dhe sulmet ekstremiste kundër qeverisë.
Ai tha se në Shtetet e Bashkuara “nuk ka ende drejtësi të barabartë”.
Si prokuror i përgjithshëm, Garland mund të mbikëqyrë mosmarrëveshjet e debatueshme racore që përfshijnë abuzime të pakicave nga ana e forcave të zbatimit të ligjit në çështjet penale që çuan në demonstrata vitin e kaluar.
Garland duket se ka të ngjarë të miratohet në Senat, i cili është i ndarë politikisht mes 50 republikanëve dhe 50 demokratëve, por do të ketë votën e nënpresidentes Kamala Harris në favor të tij nëse është e nevojshme. Tashmë, të paktën dy senatorë republikanë kanë shprehur mbështetje për emërimin e tij./VoA/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...