Erdogan: Mundësia e heqjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit është e hapur

22:43 | 21 Shkurt 2021
V. S.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha sonte se “është hapur mundësia” e heqjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit, në një bisedë telefonike me homologun e tij iranian Hassan Rouhani.

“Shpresojmë që administrata e re e SHBA-së do të jetë në gjendje të heqë dorë nga sanksionet e njëanshme mbi Iranin… Deklaratat e fundit kanë hapur mundësinë për këtë,” tha Erdogan pas bisedimeve me homologun e tij iranian.

Presidenti i Turqisë tha se marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit duhet të “riaktivizohet”.

Rouhani, nga ana e tij, tha se heqja e sanksioneve ishte një “kërkesë ligjore dhe logjike” dhe shtoi se Irani do të kthehej në detyrimet e tij sipas marrëveshjes pas heqjes së sanksioneve të SHBA-së.

Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, e quajtur zyrtarisht Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në korrik 2015 në Vjenë nga Irani dhe “Grupi 5 Plus 1”, i cili përbëhej nga pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe, SHBA) dhe Gjermania, si nënshkruese në emër të BE-së.

Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara, me vendimin e ish-presidentit Donald Trump, braktisën në mënyrë të njëanshme marrëveshjen bërthamore ndërkombëtare, e cila angazhoi Iranin të kufizonte pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, Irani filloi të neglizhojë detyrimet e tij në bazë të asaj marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme