Mesazh për qeverinë e re: Dokumenti për vettingun i perfeksionuar

17:00 | 20 Shkurt 2021
S D

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, thotë se dokumenti për vettingun është i përfeksionuar.

“Qeveria e re, në rast se ka vullnet të implementojë dokumentin e përgatitur nga akterët kyç dhe shoqëria civile, atëherë ai është gati dhe i perfeksionuar, sepse është punuar nga profesionistët”, deklaroi Selimi për arbresh.info.

Nevoja për vetting në drejtësi është shtruar shpesh edhe nga organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e këtij sektori. Madje, disa prej këtyre organizatave janë shprehur të bindur se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk mund të ndryshojë pa ndodhur një proces i vettingut.

Ministri Selimi, thotë se Grupi Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke përfshirë edhe procesin e vettingut tashmë ka dorëzuar raportin.

“Unë vazhdoj të mendoj që vettingu mund dhe duhet të implementohet. Është koha që të ndershmit të vazhdojnë të punojnë, pa trysninë e tjetrit. Të pandershmit dhe ata që kanë prishur sistemin, të përballen me thyerjen e betimit të prokurorit/gjyqtarit. Askush nuk ka të drejtë të jetë mbi ligjin, e më së paku ata që thirren të jenë peshore e drejtësisë së barabartë”, shprehet Selimi.

Përvojat nga e kaluara në lidhje me procesin e vettingut është përdorur shpesh herë nga partitë politike si  parakusht për kthimin e besimit të kosovarëve në sistemin e drejtësisë.

Pas miratimit të reformës në drejtësi, vettingu është çështja kryesore në vëmendjen e politikës vendase dhe ndërkombëtare, pasi që vettingu (reforma), synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë.

Në dhjetor të 2020, Grupi Punues dorëzuan raportin  me modalitetet e llogaridhënies me përfshirjen e Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Pjesë e grupit punues ishin të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë dhe ishte i kryesuar nga shoqëria civile.

Ata na kanë propozuar katër modalitete, të cilat më pas i janë dërguar Qeverisë së Kosovës për miratim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme