Biletat e udhëtimit me aeroplan për dhe nga Kosova, mund bëhen më të lira, kurse udhëtimet nga dhe në vendet perëndimore – më të shkurtra, falë hapjes së korridoreve të reja të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova, megjithatë, ende nuk arrin të kontrollojë të gjithë hapësirën ajrore dhe kjo është duke i kushtuar.
Për hapjen e korridoreve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka njoftuar NATO-ja më 11 shkurt, ku është shtuar se kjo është një arritje e rëndësishme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Ndryshe, në hapësirën e ulët Kosova deri tash e ka shfrytëzuar vetëm korridorin me Maqedoninë e Veriut, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.
“E rëndësisë së veçantë është se për avio-kompanitë të cilat [operojnë] dhe vijnë nga vendet perëndimore (me hapjen e korridoreve të reja) do të ketë nga 10 deri në 15 minuta fluturime më të shkurtra. Njëkohësisht do ketë më pak emetim të karbonit dhe do të kemi një ambient më të pastër. Besojmë dhe vlerësojmë se kjo do të ndikojë edhe në uljen e kostos së vajtje-ardhjes së biletave për qytetarët”, thotë Nuredini.
Sipas tij, autoritetet përkatëse vazhdojnë të angazhohen në mënyrë intensive që Kosova të normalizojë plotësisht hapësirën e saj ajrore me vendet fqinje siç janë Mali i Zi dhe Serbia.
“Ne shpresojmë që në vitin 2021 Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, në aspektin e aviacionit civil, të ketë raporte të normalizuara”, thekson Nuredini.
Ai shton se komunikimet dhe bisedimet për normalizimin e raporteve në aspektin e aviacionit civil, i ndërmjetëson KFOR-i apo NATO-ja.
Korridori me Serbinë mbetet i mbyllur
Korridori me Serbinë është pezulluar që nga viti 1999, gjë që bën që fluturimet të jenë më të gjata, rrjedhimisht edhe më të shtrenjta, për dhe nga Kosova. Edhe pse ka pasur paralajmërime që në dialogun Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, kjo nuk ka ndodhur.
Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, deri tash nuk janë marrë sa duhet me çështjet e aviacionit dhe menaxhimin e hapësirave ajrore.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...