Konjufca: Qeverinë duhet ta bëjmë pa Listën Serbe

00:29 | 19 Shkurt 2021
Trina Galanxhi

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Galuk Konjufca, ka thënë se qeveria e radhës e formuar nga partia e tij, nuk do të varet nga votat e Listës Serbe.

“Deri tash po duket që të gjitha gjasat janë që qeverisja e VV-së do të jetë plus nja dy tre deputetë të pakicave jo-serbe”, ka thënë Konjufca.

Konjufca i bindur tha se qeveria e radhës duhet të bëhet pa u kushtëzuar nga Lista Serbe, duke i bërë 61 vota pa ata.

“Nuk bën që Lista Serbe me qenë si në qeverinë e Hotit, me kusht që ta bëjë 61’shin. Ne duhet ta bëjmë 61’shin pa Listën Serbe”, ka thënë Konjufca në T7.

Tutje, ai la hapur edhe mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera shqiptare.

“Me partitë shqiptare nëse na duhen, për një stabilitet më të gjerë, mund të bisedojmë. Por, kur t’ia shtojmë edhe mërgatën, me disa deputet që kanë qenë pjesë e Qeverisë Kurti 1, me këta do ta bëjmë qeverinë me Kurtin kryeministër”, shtoi Konjufca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme