Ish-ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, ka folur për prioritetet e Qeverisë “Kurti2”.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ndër prioritet e para do të jetë procedimi në Kuvendin e Kosovës i projektligjit për konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
“Në mandatin e kaluar ne kemi punuar në hartimin e koncept-dokumentit për këtë, tani ka mbetur që në bazë të atij koncept-dokumenti, i cili ka qenë edhe publik, të draftohet projektligji dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, thotë Haxhiu.
Ajo thekson qëllimi është fuqizimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe vendosja e barrës së provës te personi që i kërkohet justifikimi i pasurisë.
“Po ashtu ne do të punojmë edhe në themelimin e Byrosë së lartë të hetimeve që do të merret vetëm me korrupsionin e nivelit të lartë”.
Në anën tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se Kosova ka kornizë jashtëzakonisht të avancuar lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitet kriminal.
Por sipas tij, sfidë mbetet zbatimi i ligjit në vend.
“Problemi kryesor në Kosovë është mungesa e zbatimit të ligjit në praktikë, mungesa e dënimeve finale që do t’i hapnin rrugë konfiskimit të pasurisë së fituar me vepër penale”, thotë Haxhiu për albaninapost.
Miftaraj thotë se vetëm pas procesit të Vetting-ut kjo iniciativë e LVV-së do të jepte rezultat.
“Iniciativa do kishte efekt nëse do të kishim institucione të pavarura të drejtësisë, të paanshme dhe që kanë vullnet dhe guxim për të zbatuar ligjin, e që kjo sot nuk ekziston”.
Ndërkohë, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka thënë se tashmë kanë hartuar një raport me shumën e konfiskuar që dyshohet se u fitua në mënyrë të kundërligjshme.
“Ne në këtë moment mund të japim statistikat e përgjithshme për vitin 2020 qe janë si ne vijim: Ngrirje-sekuestrim: rreth 19 milionë euro dhe Konfiskim: 476 mijë euro”.
Fazliu tha se ky raport i është paraqitur Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe pret që shpejt i njëjti të aprovohet.
Por ai nuk ka dhënë detaje shtesë se kush janë këta persona që u është sekuestruar dhe konfiskuar pasuria.
“Sapo i njëjti të aprovohet, atëherë do të jemi në gjendje të ofrojmë të dhëna më të detajuara”, përfundoi Fazliu.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...