Shefi i BE-së kundër aludimeve të VV-së për “shtet të kapur”: Zgjedhjet treguan se demokracia po funksionon

14:41 | 18 Shkurt 2021
Arbresh.info

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka takuar sot u.d të presidentit, Vjosa Osmani, për të biseduar për procesin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit në vendin tonë.

Szunyog me anë të një postimi në Twitter, ka thënë se procesi i zgjedhjeve në Kosovë ka treguar se demokracia në vendin tonë është duke funksionuar, shkruan arbresh.info.

Ai ka thënë se BE-ja pret krijimin e institucioneve të reja për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“E urova sot u.d të presidentit mbi rezultatet e zgjedhjeve dhe mbi procesin zgjedhor të qetë dhe efikas. Kosova ka treguar se demokracia e saj po funksionon. Ne jemi duke shikuar përpara për angazhimin e udhëheqësve dhe institucioneve të reja të Kosovës për të mbështetur progresin në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ai.

Ky reagim i shefit të BE-së paraqet një qëndrim krejt ndryshe nga ai i VV-së dhe Albin Kurtit.

Këta të fundit, disa herë e kanë sulmuar KQZ-në dhe individët brenda saj, duke aluduar kështu në siç e quajnë ata “shtet të kapur”.

Madje, e rrezikuar nga kërcënimet dhe linçimet ishte shprehur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme