13:09 | 18 Shkurt 2021
Arbresh.info
Ka ndërruar jetë në burg në moshën 79-vjeçare, bosi i Camorra-s, Raffaele Cutolo. Ai ishte një prej themeluesve të Nuova Camorra Organizzata, një degë “e reformuar” e organizatës mëmë.
Cutolo mbahej në burgun e Parmës, në repartin mjekësor. Që prej verës së kaluar gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar, raportojnë mediat italiane, por përsëri gjykata kishte refuzuar transferimin e tij në arrest shtëpiak. Ai ishte i burgosuri më i vjetër në regjimin 41bis.
Arsyetimi i gjykatës ishte se pavarësisht moshës dhe gjendjes shëndetësore, Cutolo mbetej ende një simbol i krimit të organizuar.
Pas vdekjes së tij, në një postim në Facebook, gazetari Roberto Saviano shkroi: “Raffaele Cutolo ishte një bos i fuqishëm, më shumë sesa një kryeministër, apo një admiral. Një fuqi që e ruajti edhe pse kaloi thuajse gjithë jetën në burg. Sekretet që mori me vete në varr nuk arritën të shantazhonin politikanët që e përdorën. Njeri i dhunshëm dhe i dëshpëruar, i lindur nga një territor i dhunshëm dhe i dëshpëruar”.
I lindur në 4 nëntor 1941, Cutolo u shkëput nga Camorra tradicionale për të krijuar organizatën e tij. Gjatë karrierës kriminale fitoi epitete të ndryshme, si “Ungjilli”, “Princi”, “Profesori” dhe “Murgu”.
Historia e tij kriminale merr jetë në 24 shtator 1963, kur në moshën 22-vjeçare vrau një person sepse i kishte bërë më shumë komplimente sesa duhej motrës së tij. U dënua me burgim të përjetshëm, por pasi apeli e shndërroi në 22 vite burg dënimin, doli pas 7 vitesh.
Nis të merret me kontrabandën e cigareve, një biznes tepër fitimprurës në atë kohë. Por edhe pse rikthehet në burg në vitin 1971 dhe në total merr 4 dënime me burgime të përjetshme, aktiviteti i tij kriminal nuk ndërpritet. Në vitet 1980 bashkohet me kriminelë të krahinës së Pulias, dhe formon me ta “Sacra Corona Unita”. Fuqia e tij rritet aq shumë sa në vitin 1980 blen edhe një kështjellë në vendlindjen e tij, Otaviano, në atë kohë të paguar për 270 milionë lireta. Pas arrestimit ajo sekuestrohet nga shteti italian./arbresh.info/