Google ADS

Sali Berisha: Pavarësinë e Kosovës de facto e ka shpallur George W. Bush në Tiranë

23:45 | 17 Shkurt 2021
L G

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë se e kujton 17 shkurtin e 2008-ës si ditën e mrekullisë më të madhe në historinë e shqiptarëve, pas 28 nëntorit të Skënderbeut.

“Pa dyshim se Pavarësia e Shqipërisë është ‘nëna e nënave’ e të gjitha datave që ne gëzojmë. Pavarësia e Shqipërisë ishte zhvillim shumë kompleks, kurse Pavarësia e Kosovës përbën mrekullinë më të madhe të shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut”, ka thënë Berisha në KlanKosova.

“Këtë e them sepse sa herë ta shohim dhe analizojmë këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pashoq. Ai ka themelet në gjakun, jetën e qindra e mijëra shqiptarëve të cilët që nga vitet e Lidhjes së Prizrenit deri më 1999, u flijuan për lirinë e Kosovës. Kjo mrekulli ka rezistencën pasive më të pashoqen në Evropë, rezistencë në të cilën qytetarët e Kosovës u bashkuan në një, me gjeniun e politikës së shqiptarëve, Presidentin Rugova”.

“Rezistenca pasive nuk mundej si e tillë të konkretizohej me pavarësinë dhe ajo u vazhdua me beteja të UÇK-së në të cilat shënuan kulmet e heroizimit të shqiptarëve ndër kohëra, Prekazi u shndërrua në Krujën e dytë”.

Berisha në Edicionin e Analizës iu ka shmangur pyetjes për shpalljen e pavarësisë dhe ish kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçit.

“Pavarësia e Kosovës u shpall “de-facto” nga George W. Bush në Tiranë dhe periudha që ngeli midis qershorit të vitit 2007 dhe shkrutit 2008 ishte një periudhë përgatitore për shpalljen e pavarësisë”.

“Mund të them se më 2005 me ardhjen në pushtet të PD-së, tema themelore e Qeverisë së Shqipërisë ka qenë se Pavarësia e Kosovës, si kushti i të gjitha kushteve për t’i dhënë fund fluiditetit të shqiptarëve në Ballkan”.

Të ngjashme