Google ADS

Rrëfim ekskluziv i Fatmir Sejdiut| Tre ditë pa gjumë në ditët e pavarësisë, porositë e Presidentit të Parë të Republikës

19:11 | 17 Shkurt 2021
L G

17 shkurti i vitit 2008 është pika më kulmore për Kosovën dhe shqiptarët.

Kështu thotë, Fatmir Sejdiu, Presidenti i parë i Republikës së Kosovës.

E si një nga ata që nënshkroi këtë vulë të pavarësisë së vendit, Sejdiu në një intervistë ekskluzive për arbresh.info, ka rrëfyer momentet e asaj dite historike për Kosovën.

“Pika ma kulmoren për Kosovën dhe shqiptaret në tërë botën. Për botën shqiptare në fillim shekullin e ri që erdh si rezultat i sakrificës së shumë gjeneratave. Ne kemi pas privilegjin të jemi përmbyllës të këtij kapitulli duke marr pjesë edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës. Për ne ka qenë një ngjarje që jemi përgatitur shumë gjatë për ta bërë ashtu siç duhet. Kam pas fatin të udhëheqë ekipin e “Unitetit” për të shterrë gjithë mundësit e një dialogu të nevojshëm me Republikën e Serbisë për të hyrë në procese të tjera”.

Sejdiu, që ishte edhe udhëheqës i grupit të ‘Unitetit”, në bisedime me Serbinë në atë periudhe, ka rrëfyer se si me ditë të tëra nuk ka mundur të bëjë gjumë duke u përpjekur që në ditën e pavarësisë të shkojë çdo gjë ashtu siç duhet.

“Ajo ditë ka qenë dëshmi që Kosova dhe qytetarët e saj janë të gatshëm të hyjnë në sfida të tjera të mëdha. Atë ditë e kemi pas gëzimin e madh, personalisht dy apo tri net përpara, gati pak kam bë gjumë, për arsye të shqetësimit dhe të emocioneve që i kom pas se si do të dal dhe se si do të funksionojë si duhet. Dhe, e dyta, për shkak të një momenti që nuk e kanë përjetuar shumë breza dhe e kishim fatin që ne të jemi përmbyllës të këtij momenti duke pasur parasysh po ashtu edhe kujdesin e veçante për aspektin e sigurisë që kanë pas institucionet e caktuara të Kosovës”, rrëfen Sejdiu për arbresh.info.

17 shkurti për Sejdiun, është datë që ndan dy epoka të ndryshme të vendit.

“Është një datë që nuk mund të harrohet, është një datë që bënë ndarjen e dy epokave të rëndësishme. E para, është epoka e para pavarësisë e cila është e dhimbshme, e përgjakshme, e sakrificës. Dhe, epoka e pas pavarësisë që nënkupton përpjekjet tona për të bërë një shtet funksional si duhet, për të përmbush pritjet e qytetarëve të vendit dhe amanetin e atyre që kanë rënë për Kosovën, dhe për të shpalos identitetin tonë si evropian”.

E pas 13 viteve, Presidenti i parë i Republikës, thotë se duhet bërë shumë punë për të nxënë kohën e humbur.

Sipas tij, të rinjtë janë ata që duhet të jenë pjesë e projekteve të rëndësishme në tregun Evropës.

“Kosova e ka shansin vetë ta bëjë ketë punë, sepse ka shumë faktor që i ka prej Zotit, prej natyrës, e para ka pasuri të paskajshme të saj në kuptimin e pasurive minerale që janë shumë të çmueshme dhe janë të rralla, flas për Trepçën për Lignitin dhe komplekset e tjera. E dyta, ka një tokë të jashtëzakonshëm me klimë të përshtatshme. Dhe, e treta, ka një brez të njerëzve, rininë të shkolluar mirë, të cilët kanë mundësi të ofrojnë projekte dhe të jenë konkurrentë në projekte të rëndësishme në tregun evropian”.

Sejdiu vlerëson se është përgjegjësi e institucioneve që shendetësia, arsimi, ekonomia, sundimi i ligjit të japin “provime” në vazhdimësi.

“Nuk jemi pa brenga nuk jemi pa halle nuk jemi pa sfida të shumta që mund të na dalin para edhe në ecje të mëtejshme por mendoj që kemi kapacitete që ta bëjmë një punë të mirë”, thotë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

E kur jemi të sukseset e Kosovës për gjatë këtyre viteve, Presidenti Sejdiu thotë se mesazhi më i mirë në arenën ndërkombëtare për punën e popullit të Kosovës janë Dua, Rita, Majlinda, Nora, Shaqiri e Xhaka.

“Kosova u bë por duhet që shqiptarët të bëjnë shumë për të lartësuar emrin e saj dhe për të dhënë një shpalosje të vërtet të ambicieve tona, të identitetit tonë real.

Dhe, ka siç shifet ‘shpërthime’ të mira në disa fusha, ta zëmë ne na bëjnë krenar këngët e Ritës e Duas, e të sportistëve kulmor siç janë Majlinda e Nora. Janë mesazhe të mira këto dhe kjo do të thotë se njerëzit e Kosovës mund të bëjnë punë të mëdha. Jemi një popull numerikisht i shpërndarë nëpër botë, por të mbledhim energjitë tona për të bërë punë të mëdha”./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme