Nikollovski: Antikorrupsioni ka në dispozicion hapësirat më të mirë të shtetit

16:56 | 17 Shkurt 2021
A. B.

Këtë javë pritet të formohet një grup punues për ndryshime Ligjin kundër korrupsionit me kërkesë të KSHPK-së, për të cilin tashmë është përgjegjës ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ndërsa nesër para Komisionit kuvendor për sistemin politik do të paraqitet Strategjia për lufltë kundër korrupsionit, e cila për një kohë të gjatë pret të dalë në rendin e ditës”, tha sot zëvendëskryeministri, Ljupço Nikollovski.

Nikollovski në konferencë për shtyp në Drejtorinë doganore me rastin e duhanit të sekuestruar që në mënyrë të paligjshme ishte lëshuar në treg, edhe një herë tha se lufta kundër korrupsionit do të jetë pa kompromis dhe se ligjet do të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Në këtë drejtim, theksoi ai, aktivitetet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive.

Zëvendëskryeministri kujtoi se në përputhje me vendimin e djeshëm të qeverisë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) mori tre kate në hapësirat më të mira në dispozicion të shtetit përmes Shërbimit për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta (SHÇPP). Në të ardhmen e afërt, theksoi, do të realizohet tenderi për softuerin e KSHPK-së dhe do të sigurohet pajisja e nevojshme.

“Si gjeneratë e re e njerëzve në politikë, do të bëjmë gjithçka për të treguar dhe provuar se do të punojmë me ndershmëri, sinqeritet dhe përgjegjësi në luftën kundër korrupsionit dhe se do të ndjekim politika në atë drejtim. Strategjia është duke u miratuar, Ligji për luftën kundër korrupsionit po ndryshohet, po hapim tema si zgjidhje ligjore për origjinën e pronës, po punojmë për ndërveprimin e institucioneve”, theksoi Nikollovski.

Sipas tij, lufta kundër ekonomisë së zezë, kundër gjithçkaje që është e paligjshme dhe e fituar në mënyrë kriminale, duhet të jetë e përditshme, e vazhdueshme.

“Veprimet duhet të jenë të shpejta, këtu janë dobësitë, por duhet të jenë të shpejta edhe efikase edhe procedurat gjyqësore që do të japin drejtësi. Unë mund ta garantoj atë që e kemi premtuar – përfshirjen e të gjitha 32 institucioneve, ndërlidhjen dhe ndërveprimin. Unë mund të flas më hapur për gjithçka që bëjmë gjatë gjithë kohës për t’i krijuar kushtet që nuk i kemi pasur për ndoshta dy ose tre dekada. Tani është koha, tani kjo është një temë prioritare, lufta kundër korrupsionit dhe krimit është në krye të përparësive të qeverisë dhe 2021, unë garantoj, do të jetë një vit i tolerancës zero për korrupsionin. Ne po e dërgojmë mesazhin se nuk ka të paprekshëm dhe se ligji vlen për të gjithë”, nënvizoi zëvendëskryeministri.

Ai informoi se sot në mëngjes kishte takim me anëtarët e KSHPK-së.

Lidhur me Strategjinë kundër korrupsionit, theksoi se debati dhe miratimi u bllokuan jo për shkak të tij ose të Qeverisë, por për shkak të bllokadave në Kuvend, për shkak të mungesës së Parlamentit sepse opozita nuk dëshironte zgjedhje me muaj, si dhe për shkak të qeverisë teknike e cila zgjati shumë.

Për KSHPK-në, Nikollovski vlerësoi se do të vendoset në kushte të shkëlqyera, përfaqësuese. Janë siguruar, tha, edhe mjetet për rinovim, si dhe për softuer.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme