Google ADS

Një komision i posaçëm i Kongresit do të hetojë sulmin e 6 janarit kundër Kapitolit

01:36 | 16 Shkurt 2021
Trina Galanxhi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha të hënën se Kongresi do të krijojë një komision të pavarur, të modelit të atij për 11 shtatorin, për të hetuar rebelimin vdekjeprurës që ndodhi në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara më 6 janar.

Zonja Pelosi tha se komisioni do të “hetojë dhe raportojë mbi faktet dhe shkaqet në lidhje me sulmin nga terrorizmi i brendshëm i 6 janarit 2021 mbi kompleksin e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara dhe në lidhje me ndërhyrjen në transferimin paqësor të pushtetit.”

Në një letër drejtuar kolegëve demokratë, zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të japë fonde shtesë për të rritur sigurinë në Kapitol.

Pas votimit kundër fajësimit të ish-Presidentit Donald Trump në gjyqin e dytë ndaj tij mbi akuzën për nxitjen e rebelimit, duket se po rritet mbështetja dypartiake për një komision të pavarur për të shqyrtuar sulmin vdekjeprurës.

Hetimet mbi trazirat ishin planifikuar që më parë, me seanca në Senat të planifikuara këtë muaj në Komisionin për Rregullat në Senat. Zonja Pelosi i kërkoi gjeneral-lejtnantit në pension Russel Honoré të drejtojë një analizë të menjëhershme të procesit të sigurisë së Kapitolit.

Në letrën e saj të hënën, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se “është e qartë nga gjetjet e tij dhe nga gjyqi se ne duhet të zbulojmë të vërtetën për atë që ndodhi”.

Ajo shtoi se, “ndërsa përgatitemi për Komisionin, është po ashtu e qartë nga raportimi i Gjeneralit Honoré se duhet të paraqesim një propozim për një fond shtesë për të garantuar sigurinë e anëtarëve dhe të Kapitolit.”

Ligjvënësit nga të dyja palët sinjalizuan në intervista të dielën se gjasat ishin që do të kishte edhe hetime të tjera. Vendimi i Senatit të shtunën, me rezultatin 57-43, 10 vota më pak se dy të tretat e nevojshme për të shpallur ish-presidentin Trump fajtor, nuk duket se e ka ndërprerë debatin në lidhje me përgjegjësinë e tij për sulmin e 6 janarit.

“Duhet të ketë një hetim të plotë për atë që ka ndodhur,” tha senatori nga Louisiana Bill Cassidy, një nga shtatë republikanët që votuan për ta dënuar zotin Trump. “Çfarë dihej, kush e dinte dhe kur e dinin, gjithçka, sepse kjo do të përbënte bazën që të mos përsëritet më kurrë një gjë e tillë.”

Senatori Cassidy tha se ai, “po përpiqej ta vendoste ish-Presidentin Trump para përgjegjësisë”, dhe shtoi se ndërsa amerikanët dëgjojnë të gjitha faktet, “më shumë njerëz do të arrijnë në të njëjtin përfundim që arrira unë”.

Ai u censurua nga dega e partisë në shtetin e tij pas votimit.

Megjithatë, një panel i tillë do të sillte rrezikun e ashpërsimit të përçarjeve partiake ose lënies në hije të programit legjislativ të Presidentit Joe Biden.

“Ka më shumë prova që populli amerikan duhet dhe meriton t’i dëgjojë, dhe një komision si ai i 11 shtatorit është një mënyrë për të garantuar sigurinë e Kapitolit dhe për të paraqitur publikisht se ne kemi nxjerrë të dhëna mbi përgjegjësitë dhe deri në çfarë mase Presidenti Trump shkeli betimin e tij kushtetues”, tha senatori demokrat Chris Coons nga Delaware, një aleat i Presidentit Biden.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, që shërbyen si prokurorë dhe argumentuan se zoti Trump duhej dënuar për nxitjen e trazirave, thanë të dielën se e kishin vërtetuar akuzën e tyre.

Ata denoncuan gjithashtu udhëheqësin republikan të Senatit Mitch McConnell dhe të tjerë për të cilët ata thanë se “po përpiqeshin të mbanin një qëndrim të dyfishtë”, duke votuar për pafajësinë e ish-presidentit, por në të njëjtën kohë, duke e kritikuar atë.

Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i zotit Trump, votoi për pafajësinë por pranoi se ish-presidenti kishte një pjesë përgjegjësie për rrethimin në Kapitol që shkaktoi vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer policie, dhe ndërpreu çertifikimin e fitores së zotit Biden.

“Sjellja e tij pas zgjedhjeve ishte e ekzagjeruar,” tha zoti Graham. “Na duhet një komision si ai i 11 shtatorit për të zbuluar se çfarë ka ndodhur dhe për t’u siguruar që të mos ndodhë më kurrë.”/VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme