Google ADS

Avokati i Popullit: Procesi zgjedhor është zhvilluar në atmosferë të sigurtë e të lirë

16:05 | 15 Shkurt 2021
V. S.

Avokati i Popullit ka vëzhguar për së afërmi zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura dje, më 14 shkurt 2021, gjithmonë duke pasur parasysh se e drejta për të votuar është thelbësore për demokracinë e bazuar në vullnetin e popullit.

Bazuar në parimet e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) 43 punonjës të IAP-së, të cilët, të shpërndarë në ekipe lëvizëse (mobile), kanë vëzhguar procesin e votimit nga perspektiva e të drejtave dhe e lirive të njeriut në pothuajse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Nga ajo që është raportuar nga terreni, Avokati i Popullit konsideron se në tërësinë e vet, procesi zgjedhor është zhvilluar në një atmosferë të sigurt, i qetë, i lirë e demokratik. Pjekuria e qytetarëve në njërën anë, angazhimi maksimal të cilin KQZ-ja e ka treguar në tërësinë e vet në përgatitjet dhe në organizimin e këtyre zgjedhjeve, kanë shënuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe nivelin e demokracisë në vend.

Prandaj, nga perspektiva e respektimit dhe e ushtrimit të kësaj të drejte politike, Avokati i Popullit shpreh konsideratën dhe vlerësimin e tij maksimal. Po ashtu, Avokati i Popullit vlerëson Policinë e Kosovës për mbështetjen profesionale që ka ofruar përgjatë gjithë ditës së zgjedhjeve nëpër të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke garantuar siguri dhe mbarëvajtjen e procesit elektoral.

Gjithsesi, duke e pasur parasysh vështirësinë që ka një proces zgjedhor, ka pasur segmente specifike nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut që kanë tërhequr vëmendjen e vëzhguesve të Avokatit të Popullit.

Realizimi i zgjedhjeve në situatë pandemie ka imponuar kërkesa specifike përkitazi me masat anti-COVID. Mundësitë e zbatimit të distancës ndërmjet votuesve nuk kanë ekzistuar në secilën qendër votimi, në radhë të parë, por as ndërmjet administruesve të procesit. Ky problem është shfaqur veçmas në qendra të mëdha votimi (kryesisht në qytete), ku fluksi i votuesve ka qenë më i madh. Megjithatë ka pasur respektim sa i përket bartjes së maskave dhe përdorimit të dezinfektuesve.

Në anën tjetër, shumica e shkollave që shërbenin si qendra votimi nuk ofronin kushte të përshtatshme infrastrukturore (mungesa e pjerrinave, ashensorëve etj.) për personat me aftësi të kufizuara në të ecur dhe për personat e moshës së tretë. Të shumtën e herëve, vendvotimet ishin në katet e dyta apo në të treta dhe kjo ka paraqitur vështirësi në realizimin e së drejtës së tyre për të votuar. Ndërkaq, pothuajse të gjitha qendrat e votimit kanë qenë të pajisura me fletëvotime me alfabet të Brajlit, për rastet kur votuesit mund të jenë persona të verbër.

Po ashtu, bazuar në mandatin specifik që ka Avokati i Popullit, ka monitoruar për së afërmi institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, si: qendrat e paraburgimit, qendrat korrektuese dhe Burgun e Sigurisë së Lartë. Vëzhguesit e IAP-së gjatë monitorimit kanë vërejtur se për shkak të bartjeve që kanë ndodhur me të (para)burgosurit, pasi janë dërguar të dhënat përkitazi me ata që kanë të drejtë vote, ka pasur raste kur persona të privuar nga liria nuk kanë pasur mundësi të votonin, sepse emri i tyre nuk ka qenë në listat e ekipit mobil, ndërkaq nuk janë verifikuar aty për aty edhe me listën e përgjithshme të votuesve.

Po ashtu, nën monitorimin e vëzhguesve nga IAP-ja ishin edhe shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, shtëpitë integruese në bashkësi, Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Në këto institucione, administrimi i votimit është bërë nga ekipet mobile të KQZ-së./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme