Mediat botërore për Albin Kurtin: Tani më e vështirë për Serbinë

00:20 | 15 Shkurt 2021
Trina Galanxhi

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e 5-ta parlamentare pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Shumë media ndërkombëtare kanë raportuar për zgjedhjet duke iu referuar exit-poll, por edhe rezultateve të para të publikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se “partia anti-establishment, Vetevendosje parashikohet të fitojë në zgjedhjet parlamentare të së dielës duke iu referuar sondazheve”.

Një analizë të gjatë ka bërë edhe “Bloomberg” që vëren se me fitoren e Kurtit, Serbia do të ketë përballë një partner akoma më të vështirë në bisedimet për normalizmin e marrëdhënieve.

“Më pak se një vit pasi Kurti u rrëzua si Kryeministër për shkak të mosmarrëveshjeve rreth mënyrës së trajtimit të pandemisë së koronavirusit, ish-i burgosuri politik ka fituar përsëri mbështetjen me premtime për të luftuar korrupsionin. Më e rëndësishmja për politikën e jashtme është zotimi i tij për të shfrytëzuar mbështetjen amerikane në negociatat e vështira të Kosovës me Serbinë.

Nëse Kurti do të fitojë, ai do të jetë një partner shumë më i vështirë në bisedimet me Serbinë, të cilën ai e fajëson për turbullimin e sigurisë së rajonit duke u nbështetur te Rusia dhe Kina” – shkruan “Bloomberg”, transmeton lapsi

Ndërsa spanjollja “El Pais” shkruan në një raportim të gjatë se “rezultatet e para i japin një fitore të qartë – edhe pse më pak se sa parashikuan sondazhet e mëparshme – për Vetëvendosjen, një parti nacionaliste e krahut të majtë e rritur nga vota e të rinjve”.

“Me të përfunduar orari zyrtar i mbylljes së qendrave të votimit, shumë institute dhe organizata joqeveritare publikuan sondazhe apo exit poll duke paraqitur përqindje të partive dhe ulëseve të fituara në kuvend. Këto informacione janë jo zyrtare, ndërsa nga të gjitha matjet e tyre e shpallin fituese Lëvizjen Vetëvendosja të udhëhequr nga Albin Kurt”, – raporton Deutsche Welle.

“Sipas një sondazhi të dalë, partia anti-korrupsion, Vetëvendosje, ka fituar zgjedhjet në Kosovë”, shkruan Euronews.

Gazeta gjermane, Die Welt ka shkruar se “qytetarët e shtetit më të ri të Evropës votuan për ndryshimin më qartë se kurrë. Lëvizja Vetëvendosje nën udhëheqësin e saj karizmatik, Albin Kurti ka premtuar të luftojë keqmenaxhimin dhe korrupsionin”– citon ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme