Rreth 50 të vdekur nga COVID-19 brenda dy javëve në Kosovë

19:58 | 13 Shkurt 2021
S D

Koronavirusi ka marrë jetën e 46 kosovarëve në dy javët e para të shkurtit, sipas përllogaritjeve të rasteve të përditshme të vdekjeve nga Covid-19.

Përgjatë kësaj jave, nga e hëna deri të shtunën, kanë humbur betejën me koronavirusin 21 kosovarë. Sipas IKSHPK’së, vetëm përgjatë të premtes kanë ndërruar jetë gjashtë persona. E premtja e kësaj jave shënohet si dita me më së shumti vdekje të ndërlidhura me Covid-19.

Ndërkaq, të shtunën e kësaj jave janë shënuar 4 vdekjeve, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 1 rast (82 vjeç), Prishtinë 1 rast (74 vjeç), Prizren 1 rast (48 vjeç), Viti 1 rast (85 vjeç)”, thuhet në raportin e përditshëm të Institutit.

Personi me moshë më të re që ka vdekur nga virusi korona përbrenda dy javëve të para të shkurtit është 40-vjeçar, rast nga Suhareka.

Të shtunën e kaluar ka qenë numri më i ulët i vdekjeve në këto dy javët e fundit – një jetë e humbur.

Siç njofton IKSHPK, numri total i rasteve pozitive që prej shfaqjes së të infektuarit të parë e deri më tani është 64.095. Ndërkaq, në total, 1.544 persona dyshohet se kanë vdekur nga Covid-19.

Numri i rasteve aktive, sipas Institutit të Shëndetësisë Publike të vendit, është 6.991.

Në Kosovë kanë filluar të shfaqen edhe rastet e para me variantin britanik të koronavirusit, gjë për të cilën infektologët e vendit kanë bërë kujdes të shtuar.

Ministria e Shëndetësisë, përkundër kësaj, ka lehtësuar masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit, duke e larguar orën policore në të gjitha komunat me rrezikshmëri të lartë.

Të ngjashme