Google ADS

Demokratët paraqesin video tronditëse si prova në gjyqin ndaj ish-Presidentit Donald Trump

08:18 | 11 Shkurt 2021
Arbresh.info

Në regjistrimet e papublikuara më parë, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën skena shtangëse që bënin të qartë se sa afër ishin pjesëmarrësit në rebelim me udhëheqësit e vendit, duke qarkulluar lirisht nëpër salla duke brohoritur “Të varet Mike Pence”, disa prej tyre me veshje luftarake ndërsa anëtarë të grupeve ekstremiste ishin ndër të parët që kishin hyrë brenda. Jashtë, turma kishte ngritur një trekëmbësh të improvizuar. Në një moment dramatik, në video shihet një punonjës i rendit që hap zjarr drejt turmës përmes një dritareje të thyer, duke vrarë një grua nga San Diego, Ashli Babbitt.

Pamjet tregojnë Nënpresidentin Pence, i cili po kryesonte seancën për të çertifikuar fitoren e Joe Bidenit ndaj zotit Trump – duke ngjallur zemërimin e zotit Trump – që shoqërohet me nxitim për t’u strehuar në një zyrë me familjen e tij, vetëm 30 metra larg protestuesve. Zonja Pelosi u evakuua nga kompleksi ndërsa stafi i saj u fsheh në zyrat e saj. Punonjësit e rendit, të mbingarkuar nga turma, në gjendje paniku thonë “e humbëm kontrollin”. Një oficer shihet duke u shtypur nga turma dhe prokurorët thanë se një tjetër pësoi një goditje në zemër. Më pas një prej tyre humbi jetën.

Megjithëse shumica e senatorëve që shërbejnë si anëtarë të jurisë e kanë marrë vendimin e tyre mbi pafajësinë ose dënimin, ata shihnin të shtangur videon që tregonte si protestuesit morën kontrollin e të njëjtës sallë ku tani po zhvillohet gjyqi. “Ata vepruan sepse zoti Donald Trump i dërgoi në këtë mision,” tha një nga prokuroret, Stacey Plaskett, delegate demokrate që përfaqëson Ishujt Virgin.

Paraqitja tronditëse hapi ditën e parë të plotë të argumenteve në gjyq ndërsa prokurorët argumentuan se zoti Trump nuk ishte një “spektator i pafajshëm” por “nxitësi kryesor” i trazirave vdekjeprurëse të Kapitolit, një president që për muaj me radhë përhapi gënjeshtra për zgjedhjet dhe ushqeu zemërimin e një turme mbështetësish, të gatshëm të ndiqnin thirrjen e tij për të ndalur fitoren e zotit Biden. Demokratët argumentuan se ish-Presidenti Donald Trump mbolli farën për sulmin vdekjeprurës në Kapitol shumë më përpara datës 6 janar, me pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.

Në ditën e dytë të gjyqit të ish-presidentit në Senat ata thanë se ligjvënësit kishin detyrimin për ta mbajtur ish-presidentin përgjegjës për ngjarjen.

“Trump e kuptoi pranverën e kaluar se ai mund t’i humbiste zgjedhjet e nëntorit dhe filloi të mbjellë farën e zemërimit midis mbështetësve të tij, duke thënë se ai mund të humbte vetëm nëse zgjedhjet vidheshin,” tha ligjvënësi demokrat Joseph Neguse.

“Nëse duam të mbrojmë republikën tonë dhe të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri, ai duhet të shpallet fajtor,” tha ligjvënësi.

Ai vlerësoi ish-Nënpresidentin Mike Pence, i cili më 6 janar drejtoi seancën e çertifikimit zyrtar të fitores së Presidentit Joe Biden, pavarësisht presionit nga zoti Trump për ta ndalur procesin. Avokatët e zotit Trump argumentojnë se retorika e ish-presidentit mbrohet nga garancia e fjalës së lirë në bazë të Amendamentit të Parë dhe se individët që hynë në Kapitol dhe jo zoti Trump, ishin përgjegjës për sjelljen e tyre kriminale. Ata thonë gjithashtu se gjyqi synon thjesht t’i japë fund karrierës politike të zotit Trump.

“NXITËSI KRYESOR”

Anëtari i Kongresit, Joaquin Castro citoi ato që ai i quajti akte të qarta të frikësimit politik kundër punonjësve të zgjedhjeve në shtetet ku zoti Trump po humbte. Në Filadelfia, Atlanta dhe Miluoki, tha zoti Castro, mbështetësit e ish-Presidentit Trump u përpoqën të përdornin forcën e armatosur për të penguar numërimin e votave. Delegatja Plaskett tha se në mënyrë të përsëritur, zoti Trump “inkurajoi qëllimisht” dhunën nga mbështetësit e tij.

“E vërteta është se Presidenti Trump për muaj të tërë u kishte bërë thirrje përkrahësve të tij që të marshonin në një ditë të caktuar, në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, për të ndaluar çertifikimin,” tha ajo.

Veprimet e zotit Trump kërcënuan një nga tiparet dalluese të demokracisë amerikane, transferimin paqësor të pushtetit, thanë menaxherët demokratë, duke e quajtur zotin Trump “nxitësin kryesor”. Kjo çështje nuk ka të bëjë me shpalljen fajtor të një spektatori të pafajshëm për dhunën e tmerrshme dhe dëmin që ndodhi më 6 janar,” tha në hapje të seancës ligjvënësi Jamie Raskin, që luan rolin e kryeprokurorit në gjyqin e Senatit. “Kjo ka të bëjë me kërkesën e llogarisë ndaj personit që ishte përgjegjës për nxitjen e sulmit.”

Që zoti Trump të shpallet fajtor, duhet që një shumicë prej dy të tretave e anëtarëve të Senatit të votojnë për një gjë të tillë, çka do të thotë se të paktën 17 republikanë duhet të bashkohen me 48 demokratët e Senatit dhe dy të pavarur për të votuar kundër zotit Trump, i cili mbetet figura më e fuqishme e partisë së tij edhe pasi nuk është më në detyrë. Të martën, vetëm gjashtë nga 50 senatorë republikanë votuan së bashku me demokratët për të përcaktuar se gjyqi ishte në përputhje me Kushtetutën dhe mund të vazhdonte edhe pse mandati i zotit Trump përfundoi në 20 janar. Senatori Republikan Ron Johnson, një aleat i zotit Trump, u tha gazetarëve gjatë një pushimi se procedurat do të bëheshin “mjaft të zvarritura”.

“Kjo është një lojë politike,” tha ai.

I pyetur nëse Republikanët kishin marrë udhëzime nga udhëheqësi i pakicës republikane të Senatit Mitch McConnell mbi votimin, senatori Kevin Cramer tha se senatorët do të votonin në bazë të “ndërgjegjes së tyre”.

NJË VEND I PËRÇARË

Në një sondazh të Ipsos për Reuters, rezultatet e të cilit u bënë publike të mërkurën, 47% e të anketuarve thanë se zoti Trump duhet të dënohej, ndërsa 40% u shprehen kundër, të ndarë sipas përkatësisë partiake. Gjyqi në Senat nuk është hetimi i vetëm me të cilin përballet zoti Trump pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Prokurorët në distriktin më të madh të Xhorxhias kanë hapur një hetim penal mbi përpjekjet e zotit Trump për të ushtruar ndikim tek rezultatet e zgjedhjeve të atij shteti pasi doli në pah një telefonatë më 2 janar ku ai i bënte presion sekretarit të shtetit për të “gjetur” votat e mjaftueshme për të përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia.

Gjyqi i Senatit mund të përfundojë të shtunën ose të dielën, sipas një këshilltari të lartë të Senatit. Disa demokratë kishin shprehur shqetësimin se një gjykim i zgjatur mund të vonojë ecurinë e programit të zotit Biden, përfshirë një paketë të propozuar prej 1,9 trilionë dollarësh mbi koronavirusin. Zoti Biden nuk kishte në plan ta shikonte gjyqin, tha Shtëpia e Bardhë. I pyetur të martën në lidhje me procedurat, presidenti tha se ai ishte përqendruar në punën e tij.

Zoti Trump është i vetmi president që gjykohet nga Senati pas largimit nga detyra dhe i vetmi ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve. Asnjë president amerikan nuk është hequr nga detyra pas ngritjes së akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve. Procesit të shkarkimit i janë nënshtruar Bill Clinton në vitin 1998 dhe Andrew Johnson në 1868, por edhe ata u shpallën të pafajshëm. Richard Nixon dha dorëheqjen në 1974 në vend që të përballej me procesin e shkarkimit për skandalin Watergate./zeriamerikes/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme