Letra e Biden pati mesazh edhe për qeverinë që del nga zgjedhjet e 14 shkurtit

09:00 | 9 Shkurt 2021
L G

Letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, drejtuar Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mjaftë e drejtpërdrejtë sa i përket finalizimit të dialogut me Kosovën.

Por, kjo letër ka edhe mesazh për Kosovën, pasi secila qeveri që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit do t’i duhet ta finalizojë marrëveshjen me Serbinë.

Njohësi i çështjeve politike, Allen Meta në një përgjigjej për arbresh.info, thotë se kjo letër dëshmon se SHBA së bashku me BE-në janë të interesuara për një marrëveshje përfundimtare, edhe fokusi në njohje reciproke.

“Kjo përpos që është një sinjal për qeverinë e Serbisë, është sinjal po ashtu edhe për qeverinë e ardhshme të Kosovës, e cila përpos çështjeve të brendshme që duhet të fokusohet, duhet ta ketë parasysh që në një të ardhme të afërt mund të ketë edhe presion mbi marrëveshjen finale”.

Meta vlerëson se asnjëra palë nuk do të mund të jetë në epërsi ndaj tjetrës në fund të marrëveshjes.

“Edhe në dialogun Kosovë-Serbi, unë personalisht besoj që situata do të nxjerrë njërin nga termet e lartë cekura, dhe të dyja palët ose do të jenë fituese në negociata ose të dyja do të humbin nga pak. Se çka mund të sjellin këto të dyja pastaj mund të jetë shumë hipotetike, pasi që në përgjithësi kemi një politikë nga të dyja palët e cila është bllokuese”.

Në letrën e Biden dërguar Vuçiqit përmenden negociatat me Kosovën.

“Ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden.

Tash jemi në vitin e 10-të që kur ka filluar dialogu Kosovë-Serbi, dhe si i tillë ende nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret i cili do të ndikonte drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet e sidomos për përfundimit e status-quos e cila është e dëmshme për të dyja palët negociuese. /V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme