Google ADS

Vjosa Osmani: Të dielën do t`i dërgojmë në opozitë për një kohë të gjatë ata që abuzuan me pushtetin

11:40 | 8 Shkurt 2021
M. A.

Kandidatja për Presidente nga Lista Vetëvendosje-Guxo, Vjosa Osmani thotë se në Prizren e Dragash ka moblizim të qytetarëve për ndryshim.

“Në Bresanë, në një pritje fantastike, banorëve ju thamë se me daljen masive në votimet e së dielës tjetër do t`i dërgojmë në opozitë për një kohë të gjatë ata që abuzuan me pushtetin dhe qytetarët. Ndërkaq në Dragash, kërkuam që qytetarët e këtushëm sikurse në zgjedhjet e kaluara, sërish ta votojnë ndryshimin”, shkruan ajo.

Osmani thotë se të dielën hapet kapitulli i ri me frymë dhe besim e se ndryshimi do bëhet realitet.

Postimi i saj i plotë:

Vargani i fitores ka vazhduar në Prizren e Dragash. Në të dy këto komuna, mobilizimi i qytetarëve për 14 shkurt u manifestua me masivitet dhe me nevojën që ndryshimi të ketë adresë të dielën që vjen.
Në Bresanë, në një pritje fantastike, banorëve ju thamë se me daljen masive në votimet e së dielës tjetër do t`i dërgojmë në opozitë për një kohë të gjatë ata që abuzuan me pushtetin dhe qytetarët. Ndërkaq në Dragash, kërkuam që qytetarët e këtushëm sikurse në zgjedhjet e kaluara, sërish ta votojnë ndryshimin. Në Zhur fryma e ndryshimit kishte nisur, ndaj morëm mbështetje që në këto zgjedhje në krah të referendumit do të jetë edhe ky fshat.
Teksa në Terzi Mahallë, në një takim të ngrohtë me komunitetin rom, u zotuam se ata do të jenë krahas nesh. E, në takim me banorët në shkollën “Mustafa Bakiu”, u entuziazmuam nga pritja dhe gatishmëria e tyre që në ditën e zgjedhjeve të na besojnë që t’i adresojmë problemet e tyre, jo vetëm në katër vjetët e ardhshme.
Banorëve të lagjes Atmaxha u thamë se ne do të jemi shërbyes të tyre pas 14 shkurtit dhe se garanci e zotimeve do të jetë vota e tyre plebishitare.
Në kompaninë “Dinamika” dhe atë “Eurofood”, i dhamë mbështetje prodhuesve tanë, sepse prodhimet e tyre nuk janë vetëm vlerë për ekonominë, por edhe imazh i Kosovës jashtë vendit. E në Qendrën Sportive “Sezai Surroi”, takuam vajzat dhe djemtë sportistë, të cilët prej vitesh kanë bërë të mundur që flamuri i Kosovës të valojë kudo në botë.
Këtë të dielë, hapet kapitull i ri, ndaj me këtë frymë dhe me besim, ndryshimi do të bëhet realitet!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme