Presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i heqin sanksionet e tyre ekonomike ndaj Iranit si masë për ta kthyer Teheranin në tryezën e bisedimeve për të diskutuar se si mund të ringjallet marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Këto komente zoti Biden i bëri për rrjetin televiziv CBS gjatë një interviste të regjistruar të premten pjesë të së cilës u bënë publike të dielën.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara do të heqin fillimisht sanksionet për ta kthyer Iranin sërish në tryezën e bisedimeve, zoti Biden u përgjigj: “jo”. Më pas ai u pyet nëse a duhet që Irani të ndalonte fillimisht pasurimin e uraniumit, Presidenti Biden tundi kokën në shenjë miratimi. Një zyrtar i lartë sqaroi se me këtë zoti Biden donte të thoshte se Irani duhet të ndalojë pasurimin mbi kufijtë që lejon marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Ndërkohë të dielën udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet nëse Uashingtoni dëshiron që Irani të ndryshojë qëndrim mbi pasurimin e uraniumit.
“Irani ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Kjo nuk është bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe tre vende evropiane. Nëse duan që Irani të kthehet në zotimet e tij, Shtetet e Bashkuara duhe të heqin fillimisht të gjitha sanksionet”, shkruante në Twitter Khamenei. “Pas verifikimit nëse të gjitha sanksionet janë hequr, atëherë ne do të kthehemi tek zbatimi i plotë i marrëveshjes”, shkruante ai.
Presidenti amerikan Joe Biden, i cili mori drejtimin e vendit muajin shkuar, ka thënë se nëse Teherani kthehet tek zbatimi me përpikmëri i paktit të vitit 2015, Uashingtoni do të bënte të njëjtën gjë, dhe do ta përdorte këtë si një trampolinë për një marrëveshje më të gjerë që mund të kufizonte zhvillimin e raketave nga Irani dhe aktivitet rajonale.
Në vitin 2018 ish-Presidenti Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vuri sanksione ndaj këtij vendi.
Irani e ka shkelur marrëveshjen si kundërpërgjigje ndaj politikave të Presidentit Trump për “presion maksimal”, por ka thënë në mënyrë të përsëritur se mund të ndryshojë qëndrim nëse hiqen sanksionet amerikane./VoA/
Yll Limani përmbyll vitin me një koncert madhështor
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit