Në Shqipëri javën e parë të shkurtit u përkeqësua situata e pandemisë Covid-19. Vdekjet dhe infektimet e reja u rritën ndjeshëm, ndërsa vaksinat anti-covid ende nuk po mbërrijnë masivisht.
Një gjendje e nderë frike dhe pasigurie shihet në afërsi të spitaleve Covid në Tiranë, ku mbërrijnë gjithë të infektuarit nga qytetet e tjera dhe ku niveli i vdekjeve dhe shtrimeve ka njohur rritje nga fundi i janarit.
Auto-ambulancat e urgjencës hyjnë e dalin me të sëmurë, ndërsa familjarët rendin poshtë e lart me pako ushqimesh dhe pajisje të tjera, që u nevojiten familjarëve të tyre brenda pavioneve.
Të dhënat e 24 orëshit të fundit flasin për 14 vdekje të reja dhe 1 mijë e 124 infektime të reja në gjithë territorin e vendit, të shtruar në spitale 437 vetë.
Java e fundit e janarit shënoi një rritje të konsiderueshme të vdekjeve dhe infektimeve, ndërsa java e parë e shkurtit solli 5-15 vdekje në ditë si dhe 800 – 1 mijë e 100 infektime të reja të përditshme, ose një rritje prej 25%.
Edhe të shtruarit në spitale kanë shënuar rritje të fortë, teksa janë shtuar dukshëm edhe infektimet në moshat e reja.
Ekspertët janë të shqetësuar se nga fillimi i muajit shifrat çdo ditë kanë shënuar rritje, rekord pas rekordi.
Ata pohojnë se realiteti i pandemisë Covid në Shqipëri është më i përkeqësuar se sa shifrat 25%, që deklarojnë autoritetet shëndetësore.
Ndërsa zbulohen mbi 1 mijë infektime të reja në ditë, sipas tyre, gjendja është vërtet shqetësuese dhe nevojitet një shtim masiv i testimeve, për të zbuluar dhe ndihmuar shumë më tepër qytetarë të prekur se kaq.
Opozita publikoi sot shqetësimin e mësuesve për rritjen e infektimeve në shkolla, dhe ku, sipas saj, nuk janë marrë masa të sigurisë shëndetësore në shkolla; mësuesve nuk u bëhet testet, në shkolla nuk ka maska, alkoole apo dezinfektante as termometra.
Një tjetër pasiguri e konsiderueshme, krahas zgjerimit të hartës dhe numrave të infektimit, është edhe mungesa e vaksinave.
Deri tani në Shqipëri kanë hyrë vetëm 2 mijë e 140 vaksina, që u përdorën për mjekët dhe punonjës të shëndetësisë.
Ato janë një pikë ujë në hapësirën e nevojave dhe kërkesave të shumta që ka popullata, ku minimalisht presin radhën 600 mijë pensionistë dhe mijëra mësues e policë, pa përmendur grupmoshat e tjera.
Shqipëria ka vetëm në sistemin shëndetësor afro 4 mijë e 700 mjekë dhe mbi 12 mijë infermirerë. Për këtta 17 mijë punonjës shëndetësie nevojitet pjesa dërrmuese e vaksinave, që pritet të vijnë gjatë shkurtit.
Qeveria ka premtuar një vaksinim të popullatës brenda 14 muajve, bazuar në kontratat e furnizimit me vaksina, por ende ato nuk po mbërrijnë masivisht.
Zyrtarët pohuan se vonesa dhe pakësimi i dozave u shkaktua nga vështirësitë e furnizimeve në Europë.
Ndërsa, situata e pandemisë sa po vjen e po përkeqësohet dy javët e fundit. Në spitalet Covid humbën jetën 69 persona javën e fundit të janarit, dhe 80 të tjerë javën e parë të shkurtit.
Në 11 muaj humbën jetën mbi 1 mijë e 400 persona prej COVID dhe u infektuan mbi 84 mijë të tjerë. /VOA
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...
“Luks apo nevojë?” – Presidentja Osmani e hap ku...