Programe me premtime ‘stratosferike’, jo reale dhe pa përmbajtje

08:14 | 6 Shkurt 2021
A Z

Partitë politike kanë prezantuar programet e tyre politike, premtimet e të cilave po cilësohen si ‘stratosferike’, jo reale dhe pa përmbajtje.

Njohësit e rrethanave në vend thonë se nga këto premtime nuk shihet diçka e realizueshme, raporton arbresh.info.

Ata vlerësojnë se për ofertat e parealizueshme partitë politike do të ndëshkohen më në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Për profesorin, Mazllum Baraliu,  thotë se qytetarët janë lodhur nga premtimet e parealizueshme.

“Janë premtime të parealizueshme. Po vazhdon avazi i premtimeve stratosferike, jo reale, e jo bindëse. Të cilat në anën tjetër paraqesin mashtrimet që po bëhen nga partitë duke premtuar milionat, e vendet e punës të cilat s’janë realizuar kurrë. Nuk është mirë që në këtë mënyrë të vazhdohet avazi dhe për më keq kjo do t’ju hakmerret në vota”, shprehet Baraliu për arbresh.info.

Analisti, Fatmir Sheholli, ka një drojë tjetër në lidhje me fushatën elektorale të partive politike.

Ai vë në pikëpyetje realizimin e premtimeve duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e partive politike.

“Qeveria e re për shkak të shumë sfidave që e presin duhet të jetë, jo vetëm stabile, por edhe shumë këmbëngulëse që të ketë 80 deputetë shqiptar. Nëse kemi ndonjë formulë tjetër me më pak deputet shqiptar që e përbejnë mazhorancën në Kuvend, atëherë do të jemi dëshmitar që nuk do të ketë stabilitet afatgjatë”, vlerëson Sheholli.

Fushata e partive politike përfundon më 12 shkurt. Zgjedhjet e parakohshme nacionale mbahen më 14 shkurt./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme