Pas vizitës së Kurtit në Skenderaj, reagon PDK: Ishte me skenar, kishte për qëllim provokimin e qytetarëve

21:59 | 1 Shkurt 2021
L G

Partia Demokratike e Kosovës – dega në Skenderaj, ka reaguar pas vizitës që kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka realizuar në këtë komunë.

Sipas PDK-së, vizita e Kurtit në Skenderaj ishte provokim, pasi që ishte i shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Dega e PDK-së në Skenderaj e konsideron të papranueshme vizitën e Albin Kurtit në Skenderaj shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Vizitat dhe aktivitetet e Albin Kurtit në këtë formë, janë plotësisht të papranueshme, pasi te qytetarët e Skenderajt dhe Drenicës ngjallin kujtime të kohëve të errëta për Skenderajn dhe Drenicën. Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Më tej, PDK thotë se Kurti ka tentuar ta paraqes Skenderajn si zonë me rrezikshmëri.

“Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës. Pse ndodhi kështu? Tentimi për ta paraqitur Skenderajn si zonë me rrezikshmëri është i kahmotshëm, edhe për kundër se Skenderaj që nga paslufta, bazuar në raportet zyrtare ka qenë dhe vazhdon të jetë zona më e sigurt në Kosovë”, vijon reagimi.

Tutje, në reagim thuhet se situata që ka ndodhur në Skenderaj, ishte me skenar.

“Kjo lloj vizite dëshmon se Albin Kurti nuk po zgjedh mënyra dhe forma për të përfituar elektoralisht, edhe duke përdorur forcat e rendit. Situata e sotme në Skenderaj ishte krejtësisht e inskenuar dhe me skenar dashakeq.

Qytetarët e Skenderajt në vazhdimësi kanë përqafuar vlerat demokratike të lirë dhe të zgjedhjes së lirë. Qytetarët e Skenderajt kanë sakrifikuar në vazhdimësi për këto vlera. Ata as sot dhe asnjëherë nuk do të bien pre e provokimeve të ulëta nga kushdo që bëhen”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ndryshe, Kurti sot ka vizituar komunën e Skenderajt, ku gjatë vizitës atë e kanë ruajtur Njësia Speciale, po ashtu, gjatë tubimit një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë brohoritur “Hashim Thaçi” dhe “UÇK”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme