Amerikanët myslimanë e kanë mirëpritur urdhrin ekzekutiv të Presidentit Joe Biden që heq kufizimet e udhëtimit në disa vende me shumicë myslimane, kufizime shpesh të emërtuara si ‘ndalime udhëtimi’ ose ‘ndalim të myslimanëve’. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Yuni Salim bisedoi me disa myslimanë amerikanë.
Amerikanët myslimanë përshëndetën urdhërin ekzekutiv të Presidentit Joe Biden që shfuqizon kufizimet e udhëtimit të vendosura nga administrata e mëparshme e ish-Presidentit Trump.
Oussama Jammal është me organizatën e aktivistëve myslimanë, Këshillin Amerikan të Organizatave Myslimane.
“Ishim shumë të kënaqur me urdhërin ekzekutiv që Presidenti Joe Biden premtoi të nënshkruajë që ditën e parë të presidencës së tij, për të shfuqizuar ndalimin ndaj myslimanëve që Presidenti Trump vendosi gjatë katër viteve të administratës së tij”, thotë ai.
Myslimanët e ndikuar nga kufizimet gjithashtu e mirëpritën ndryshimin, si Abrar Omeish, një libiano-amerikane në Virxhinia.
“Kështu që padyshim isha skeptike kur dëgjova që ishte në axhendën e tij ndërsa ai po kandidonte në fillim, por jam vërtet e kënaqur të shoh që e mbajti fjalën”, thotë zonja Omeish.
Abrar Omeish lindi dhe u rrit në Shtetet e Bashkuara dhe në 2019 u zgjodh në Bordin e Shkollave të Qarkut Fairfax.
Ajo thotë se i ashtuquajturi ‘ndalim udhëtimi’ gjatë administratës Trump e bëri atë të vërë në pikëpyetje vendin e saj në Amerikë.
“Kjo sinqerisht madje më bëri të ndihesha disi si një qytetare e klasit të dytë, kur të gjithë miqtë e mi, bashkëmoshatarët e mi patën mundësinë të shijonin familjet e tyre dhe të afërmit e tyre. Gjatë pushimeve, ata shkonin për vizitë në raste të veçanta, qoftë kjo për një diplomim ose një fejesë ose lindjen e një fëmije”, thotë zonja Omeish.
Libia ishte një nga vendet që Presidenti Trump vendosi në një listë të kufizimeve të udhëtimit në një urdhër ekzekutiv që nënshkroi në janar 2017. Vende të tjera në listë ishin Irani, Iraku, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.
Administrata e ish-Presidentit Trump thoshte se urdhëri ndihmoi në mbrojtjen e Amerikës duke mbajtur larg njerëz potencialisht të rrezikshëm nga vende me probleme të mëdha sigurie.
Në ditën e parë në detyrë, Presidenti Biden e shfuqizoi këtë masë duke thënë se ishte një “njollë në ndërgjegjen tonë kombëtare” dhe në kundërshtim me traditën e gjatë të Amerikës për të mirëpritur emigrantët.
Grupet e aktivistëve myslimanë thonë se ata mbështesin planin e Presidentit Biden për të reformuar emigracionin.
“E kuptoj që na duhet një reformë e emigracionit dhe myslimanët amerikanë do të mbështesin një reformë emigracioni që do të përmirësojë mënyrën se si ne i mirëpresim, mënyrën se si ne i sjellim dhe i lejojmë emigrantët të vijnë në këtë vend”, thotë zoti Jammal.
Presidenti Biden bëri fushatë me premtimet për të hequr ndalimin e udhëtimit dhe për të miratuar një reformë gjithëpërfshirëse të emigracionit./VoA/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...