Google ADS

IPK konfirmon arrestimin e policit Haris Kelmendi, për rastin suspendohen edhe dy policë tjerë

19:03 | 30 Janar 2021
Arbresh.info

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar arrestimin e zyrtarit policor, Haris Kelmendi, pasi që i njëjti shfaqej në një video ku shihej duke e goditur një të ri brenda stacionit policor.

IPK me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se ka vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore, teksa dje është arrestuar një zyrtar policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë (shih komunikatën e datës 28.01.2021 si më poshtë)”, thuhet në komunikatë.

Sidoqoftë, IPK ka thënë se i njëjti është arrestuar sot sërish, pasi u lirua nga procedurë të rregullt.

“Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit”, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet tutje në komunikatë.

Po ashtu, lidhur me rastin janë suspenduar edhe dy zyrtarë të tjerë.

“Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim). Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në fund të komunikatës.

Komunikatë për media

IPK arrestoi një zyrtar policor të dyshuar për “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”

Posted by Inspektorati Policor i Kosovës on Saturday, January 30, 2021

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme