Arrestohet sërish zyrtari policor që keqtrajtoi 18-vjeçarin

17:21 | 30 Janar 2021
Arbresh.info

Pas publikimit të pamjeve ku zyrtari policor, Haris Kelmendi, po keqtrajtonte Leotrim Ramën, 18-vjeçar, Prokuroria ka lëshuar urdhër për arrestimin e Kelmendit.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin avokati i të dyshuarit, Naim Rudari.

Rudari ka bërë të ditur se klienti i tij, Haris Kelmendi, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të njëjtit i është urdhëruar ndalimi policor prej 48 orësh.

Rudari deklaroi se dyshimi aktual ndaj Kelmendit është për veprën penale “Pengim i te provuarit”.

Sipas dëshmisë së dhënë në Polici nga viktima e këtij rasti, Leotrim Rama, zyrtari policor, Haris Kelmendi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj tij për ta ndryshuar deklaratën.

Kujtojmë se Haris Kelmendi u arrestua më 28 janar nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, por i njëjti u lirua më pas.

Sinjali publikoi pamjet e keqtrajtimit të një 18 vjeçari në vitin 2018 nga Haris Kelmendi.

Viktima e këtij rasti, 18-vjeçari Leotrim Rama, që u keqtrajtua nga polici në një video-incizimin që u publikua dje, ka reaguar duke sqaruar edhe një herë ngjarjen e ndodhur në vitin 2018.

Ai ka thënë se në stacionin e policisë është goditur nga polici Haris Kelmendi. I riu rrëfen se në momentin e rrahjes, aty ishin të pranishëm edhe 4-5 zyrtarë të tjerë policor duke incizuar.

Tutje, ai thotë se ndonëse kanë kaluar tri vjet nga kjo ngjarje dhe gjatë kësaj kohe ka pasur edhe seanca të psikologu, trauma vetëm sa vjen e shtohet.

“Edhe pse kane kaluar thuajse 3 vjet nga kjo ngjarje, gjendja psiqike me është renduar dhe trauma sa vjen e shtohet çdo dite! Ne baze te këshillave te psikologut kam bere çdo gjë qe ta tejkaloj këtë traume por ajo sa vjen dhe rendohet çdo dite.

Une ende kam shprese qe organet kompetente te drejtësisë do te merren me këtë rast”, shkruan ndër të tjera ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme