Ibrahim Makolli i hynë garës për më shumë angazhim në lidhje me të pagjeturit

10:03 | 30 Janar 2021
Arbresh.info

Pas pesë vjetëve do t’i hyjë garës politike sërish.

Është ky kandidati për deputet nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli.

Ne një intervistë për arbresh.info, Makolli ka treguar arsyet e rikthimit në politikë.

“Tash kam vlerësuar që kandidimi në këto zgjedhje përmes AKR-së do t’i kontribuojë edhe vet subjektit por do të jetë edhe privilegj për mua”.

Makolli që në listën e AKR-së është duke kandiduar për herë të tretë, ka treguar edhe arsyen pse kanë zgjedhur LDK-në për të hyrë në koalicion.

“Mendoj që vullneti i elektoratit të AKR-së kësaj here ka qenë që AKR-ja të jetë bashke me LDK-në, duke parë edhe prejardhjen nga vjen shumica e elektoratit të AKR-së, pasi ata kanë qenë pjesë më herët të LDK-së. Është koalicion i natyrshëm pasi kemi elektorat të ngjashëm dhe frymë gati të njëjtë”.

E duke pasur parasysh që lideri i  AKR-së, Behegjet Pacolli ka suksese në fushën e biznesit, AKR-ja ka pasur zhvillimin  ekonomik pikë kyçe që të bashkohen në një koalicion me LDK-në, ka thënë ai.

“Ka pas një dakordim që në veçanti pjesa e zhvillimit ekonomik të jetë në një projekt të përbashkët pasi AKR pretendon një zhvillim të tërësishëm të vendit. Duke e parë prejardhjen dhe sukseset e liderit Pacolli natyrisht pretendojmë që është njeri i duhur që disa nga politikat e tij të jenë pjesë përbërëse në program”.

Një koalicion i tillë, sipas Makollit është në të mirë të qytetarëve të vendit.

“Besoj që një koalicion AKR-LDK, do të jetë për zhvillim të vendit në të gjitha fushat e jetës e në veçanti në ekonomi si dhe në avancim të proceseve të vendit tonë”.

Ibrahim Makolli, gjatë kohës sa nuk është marr me politikë ishte i përkushtuar në Delegacionin e Kosovës për të Pagjeturit.

Ai ka treguar hapat që do të bëhen në ditët në vijim lidhur më këtë çështje.

“Ka një numër të lokacioneve edhe në Kosovë por edhe në Serbi që do të fillohet të punohet sa të përmirësohet koha. Në lokacionin e Kizhevakut do të fillojnë serish punët me tu përmirësuar koha”.

E një nga pikat që ai do të angazhohet më se shumti në rast se do të udhëheqin me vendin,  është pikërisht zbardhja e fatit të pagjeturve.

“Për shkak të kaluarës sime, ajo që për mua do të ishte e rëndësishme është që përgjegjësit për krimet e kryera në Kosovë,  të dalin para drejtësisë, këtë e kemi borxh. Se dyti, një çështje tjetër e rëndësishme është  sundimi i shtetit të së drejtës. Kjo është një prej shtyllave kryesore për shtetin e Kosovës”./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme