Problemet me kujtesë pas tejkalimit të Covid-19, çka thonë specialistët shëndetësorë?

09:04 | 30 Janar 2021
A Z

K.Z, 28-vjeçare nga Prishtina nuk ka pasur asnjë problem me kujtesën. Por, prej kur është shëruar nga sëmundja COVID-19, humbja e kujtesës i është bërë pjesë e përditshmërisë.

“Para se mu prek me COVID-19 nuk më ka ndodh asnjëherë me harru diçka. Tash pasi e kalova virusin harresën e kam aty për aty, nuk më ka ndodhur më herët që dikush të më dhuroj diçka e ta harroj menjëherë, e kjo po më ndodh aq shpesh. Po e vërej sepse unë me kujtesë kam qenë shumë mirë”, tregon ajo për arbresh.info

Që disa persona po hasin në probleme lidhur me kujtesën pasi kalojnë COVID-19, e konfirmon edhe neurologu, Blerim Myftiu.

Ai tregoj dy probleme kryesore që shfaqen te personat që tashmë e kanë kaluar COVID-19.

“Njëra prej tyre është dhimbja e kokës, e cila mund të shfaqet më shpesh te njerëzit të cilët para COVID-it ose para vuajtjes, nuk kanë pasur migrenë ose ndonjë formë tjetër të dhimbjes primare. Si dhe një formë tjetër jo edhe aq primare sa dhimbja e kokës është edhe problemi me mbamendje, kujtesë, rifreskim të informatave paraprake, koncentrim, fokusim, punë të caktuara në aktivitetet e përditshme ditore që i kanë pasur paraprakisht”, tha Myftiu.

Myftiu, sugjeron edhe për ndihmën e psikologut që të behën disa matje piske-metrike.

“Mund të sugjerojmë edhe për ndihmën e psikologut, përkatësisht të bëhen disa matje psike-metrike për të kuptuar se sa realisht është ajo harresë apo ai problem kognitiv apo është vetëm një raportim subjektiv ose një tej zmadhim të cilin e heton një person”, shpjegon Myftiu.

Psikologia, Selvie Izeti, thotë për arbresh.info që personat që kanë histori të mëparshme me stres dhe ankth, kanë më shumë tendencë të preken nga humbja e kujtesës.

“Ajo që kemi vërejt tek personat me histori të mëparshme të ankthit ,  raportohet për harresë të theksuar, vështirësi në përqendrim, vështirësi në marrjen e vendimeve që të gjitha janë të lidhura me proceset e kujtesës. Kur stresi i është shumë i lartë,  trupi prodhon hormonin adrenalinë, i cili mobilizon trupin për një kërcënim të afërt dhe çon në një gjendje të hipevigjilencës  duke kontrolluar vazhdimisht   mjedisin për shenja të mundshme të rrezikut, dhe kjo benë që ne të mos  jemi në gjendje të përqendrohemi në stimuj të tjerë përreth nesh prandaj  edhe vjen ne pah  procesi i harresës”, pohoi Izeti.

Sipas saj, nëse në përditshmëri ballafaqohemi, me problem të “ humbjes së kujtesës”, është e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale.

“Nëse në përditshmëri ballafaqohemi, me problem të “ humbjes së kujtesës” të  cilat ndikojnë në funksionimin e jetës së përditshme, probleme të tilla si harrimi i gjërave që sapo keni mësuar, nevoja për të përsëritur gjërat njëjta shpesh, të humbni në vendet e njohura, të mos jeni në gjendje të gjeni rrugën tuaj për në shtëpi ose të humbni gjatë rrugës për në punë apo e të harroni se si keni arritur diku. Vendosja e gabuar e objekteve në vende të pazakonta (siç janë çelësat e makinës tuaj në frigorifer). Në këto raste ,  është tejet   e rëndësishme të kërkohet ndihmë profesionale për të përcaktuar shkakun e mundshëm të dëmtimit të kujtesës”, ka thënë ajo./A.Zeka/arbresh.info/

 

 

Të ngjashme