Google ADS

Premtimi populist për “Bashkim Kombëtar” që e turpëron Amerikën

08:00 | 30 Janar 2021
A. B.

Bashkimi Kosovë-Shqipëri nga të gjitha partitë politike po konsiderohet si një premtim populist dhe jo i denjë.

Kështu mendojnë njohësit e çështjeve politike në vend, shkruan arbresh.info.

Këtë zotim të liderëve partiak në Kosovë analisti politik, Nexhmedin Spahiu e quan si një “budallallëk”, pasi sipas tij një shprehje e tillë e dëmton Kosovën dhe rrugëtimin e saj si shtet.

Ai në një prononcim për arbresh.info thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy kombe më vete.

“Është budallallëk i politikanëve që e përdorin këtë shprehje të cilët e përdorin këtë shprehje e cila e dëmton Kosovën dhe rrugëtimin e saj si shtet, që Kosova nuk mund të mbijetoj si shtet është fyerje. Nëse Kosova do të ishte me të vërtetë shtet këta politikan do t’i fuste në burg. Termi “Bashkim Kombëtar” përdoret për ata popuj që akoma s’janë kombe, sepse nëse veç je komb atëherë je i bashkuar, sepse kombi në bazë të definicionit është i pandashëm. Ky është term fyes për të gjithë gjysmën e botës që e kanë njohur Kosovën si komb dhe Shqipërinë si komb. Ky është një hap që çon mbrapa, që Prishtinën nga një kryeqytet me e kthy në një qytet provincial”, tha Spahiu.

Ndërsa lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë për arbresh.info se një premtim i tillë është populist pasi që asnjëra nga partitë nuk kanë asnjë projekt konkret.

E sipas tij kjo mund të ndodhë vetëm përmes ripërcaktimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ndryshimit të Kushtetutës.

“Premtimi i partive politike për bashkim të Kosovës me Shqipërinë është premtim populist. Është populist sepse ato nuk kanë asnjë projekt konkret sesi do të ndodh ky proces kompleks. Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është i pamundshëm pa zgjidhjen e problemeve të Kosovës me Serbinë. Të vetmin projekt real e ka LB-ja e cila konsideron se kjo mund të ndodh vetëm përmes ripërcaktimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ndryshimit të kushtetutës që Kosovës ia ndalon bashkimin”, tha Murati.

E si prioritet i një qeverie të ardhshme ai konsideron se duhet të jetë dialogu me Serbinë, pasi që sipas tij vetëm me zgjidhjen e problemeve me Serbinë mund të hapet rruga për të vendosur me referendum për bashkim me Shqipërinë.

“Rrjedhimisht prioritet i një qeverie të ardhshme të përgjegjshme do të duhej të ishte dialogu me Serbinë me ripërcaktimin e kufijve si platformë themelore të bisedimeve. Vetëm pas zgjidhjes së problemeve me Serbinë mund të hapet rruga për të vendosur me referendum për bashkimin me Shqipërinë. Në ato rrethana do të ndryshonin edhe rrethanat gjeopolitike në rajon edhe raporti me aleatët tanë amerikan sa i përket bashkimit do shtensionohet tërësisht”, tha Murati.

Ndryshe, për Bashkimin Kombëtar mes Kosovës dhe Serbisë ka reaguar edhe Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, i cili në një intervistë se ka komentuar deklaratat e politikanëve kosovarë rreth bashkimit me Shqipërinë.

Diplomati amerikan është shprehur se ushtarët amerikanë nuk kanë vdekur për të krijuar Serbinë e Madhe apo Shqipërinë e Madhe.

Kosnett ka thënë se do t’i vinte inat që njerëzit në Kosovë të hiqnin dorë nga shtetësia e Kosovës kur është pyetur për deklaratat nacionaliste nga politikanët kosovarë për bashkim me Shqipërinë.

Reagimin e tij e ka quajtur shumë të drejtë analisti, Nexhmedin Spahiu i cili thotë se shprehja “Bashkim Kombëtar” është shprehje që e turpëron Amerikën.

“Natyrisht që ambasadori amerikan reagon, sepse kjo shprehje e turpëron Amerikën, sepse i bie që Amerika ka njohur një shtet që nuk e meriton të jetë shtet, reagimi i tij ka qenë tepër normal”, tha Spahiu.

Kujtojmë se gjatë kësaj në tubimet elektorale ideja për bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë është përmendur vazhdimisht nga politikanët kosovar./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme