Lëvizja e administratës Biden për të zhbërë politikat kufizuese dhe të përqendruara në zbatimin e rregulloreve të imigracionit nga ish-Presidenti Donald Trump, hasi pengesën e parë këtë javë pasi një gjyqtar federal bllokoi përkohësisht një moratorium 100-ditor të dëbimit.
Gjykatësi Drew Tipton lëshoi një urdhër ndalimi të përkohshëm të martën pasi guvernatori dhe prokurori i përgjithshëm i Teksasit sfiduan një moratorium të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) që udhëzonte agjencitë e imigracionit të ndalnin shumicën e dëbimeve të emigrantëve pa dokumente.
Gjykata tha se administrata Biden dështoi “të siguronte ndonjë justifikim konkret dhe të arsyeshëm për një ndërprerje 100-ditore të dëbimeve”.
Gjykatësi Tipton, një republikan i emëruar nga ish presidenti Trump, e ndaloi zbatimin e këtij urdhëri për të paktën 14 ditë ndërsa ai shqyrton padinë.
Përse ngritën padi zyrtarët e shtetit të Teksasit?
Moratoriumi 100-ditor, i cili hyri në fuqi më 22 janar, u nënshkrua nga Sekretari në detyrë për Sigurinë Kombëtare David Pekoske dhe ishte i vlefshëm për shumicën e individëve që kishin hyrë në Shtetet e Bashkuara pa autorizim para nëntorit të vitit 2020.
Presidenti Joe Biden udhëzoi DHS-në të përqendrohej në kërcënimet e sigurisë publike, sigurinë kombëtare dhe këdo që kapet ndërsa hyn ilegalisht në SH.B.A. pas 1 nëntorit.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton argumentoi se memorandumi shkel si ligjin federal ashtu edhe një marrëveshje që Teksasi nënshkroi me administratën Trump disa ditë para inaugurimit të Presidentit Biden.
Marrëveshja kërkon që DHS-ja të japë njoftim për çdo ndryshim që ka të bëjë me imigracionin për Teksasin, shtetet e tjera kufitare dhe juridiksionet përpara se të bëjë ndonjë ndryshim që mund të “zvogëlojë, ridrejtojë, ose në ndonjë mënyrë të modifikojë zbatimin e ligjit të imigracionit.”
Urdhri i gjykatësit Tipton, megjithatë, nuk merrte parasysh marrëveshjen dhe administrata Biden nuk e njeh atë si ligjërisht të detyrueshme, duke argumentuar se një administratë e mëparshme nuk mund të lidhë duart e administrates aktuale për çështjet e politikave federale.
Në përgjithësi, qeveria federale ka liri të gjerë veprimi kur vendos nëse do të deportojë ose jo një person. Por Teksasi argumentoi se ndalimi i dëbimeve ishte një urdhër “arbitrar dhe kapriçioz” dhe nuk ndjek procedurën e vendosur.
“Gjykata pajtohet me Teksasin,” tha gjykatësi Tipton. “Agjencive administrative federale u kërkohet të përfshihen në” vendimmarrje të arsyetuar “.”
Kë prekte urdhri i Biden-it?
Sipas një zëdhënësi nga zyra për Imigracionin dhe Zbatimin e Doganave (ICE), ndalimi i dëbimeve mbulonte ata që ishin të pranishëm në Shtetet e Bashkuara dhe për të cilët kishte një urdhër përfundimtar të deportimit. Por ai përmbante përjashtime.
Ndalimi i dëbimeve nuk ishte i zbatueshëm për njerëzit e dyshuar për terrorizëm apo spiunazh, të cilët ishin burgosur brenda burgjeve federale, shtetërore dhe lokale, ose që ishin dënuar për një “krim të rëndë”.
“Ndërprerja e dëbimeve nuk zbatohet për individët që hynë në Shtetet e Bashkuara më ose pas 1 nëntorit 2020,” tha zëdhënësi i ICE-së.
Memorandumi i DHS-së gjithashtu nuk “ndalon” kapjen ose ndalimin e njerëzve të pranishëm në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.
Gjykatësi Tipton udhëzoi ICE-në të kthehej në procedurat e mëparshme operacionale, duke dhënë urdhër që agjecia të rifillojë dëbimet. Nën administratën Trump, kushdo që ishte në SHBA në mënyrë të paligjshme konsiderohej si një përparësi për dëbim.
Mbështetja e urdhrit të gjykatës
Kongresmeni amerikan Chip Roy, një republikan i Teksasit, e cilësoi ndërprerjen e dëbimeve si “një veprim të paligjshëm ekzekutiv që merr pa të drejtë pushtetin e Kongresit për të rishkruar ligjin federal. … Jam i lumtur të shoh që Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Teksasit e sfidoi këtë qasje të paligjshme të politikës së imigracionit. ”
Zoti Paxton e quajti vendimin e gjykatësit Tipton një fitore. Sfida e Teksasit për memorandumin e DHS-së vazhdon traditën e shtetit për të sfiduar politikat dhe iniciativat e administratave demokrate. Teksasi paditi shpesh qeverinë federale gjatë administratës Obamës.
Paxton, një mbështetës i zotit Trump, aktualisht po hetohet nga FBI-ja lidhur me akuzat për ryshfet dhe abuzim të detyrës. Prokurori i Përgjithshëm i shtetit mbështeti një proces të dështuar që kontestonte fitoren e presidentit Biden ndaj zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020.
Në një twitt, Paxton e quajti ndalimin e dëbimit nga administrata Biden “një kryengritje joshëse të së majtës “, duke përdorur fjalë që janë përdorur për të përshkruar sulmin e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e Trump-it.
Mbështetja e ndërprerjeve të dëbimeve
Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) publikoi një opinion në mbështetje të moratoriumit të zotit Biden, duke i kërkuar gjykatës që të mohojë kërkesën e Teksasit dhe argumentoi se qeveria federale ka të drejtën ligjore të ndalojë dëbimet.
“Kjo padi nuk duhet të lejohet të vazhdojë. Paxton u përpoq të rrëzonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 duke u përpjekur të shtypte votat; tani ai po përpiqet të detyrojë administratën Biden të ndjekë politikat ksenofobike të Trumpit. Ndalimi i dëbimeve nga administrate nuk është vetëm i ligjshëm por i nevojshëm për të siguruar që familjet nuk ndahen dhe njerëzit nuk kthehen përsëri në rrezik ndërsa administrata e re rishikon veprimet e kaluara”, tha në një deklaratë Kate Huddleston, avokate e degës së ACLU-së në Teksas.
Gilberto Hinojosa, kryetar i Partisë Demokratee të Teksasit, tha se zoti Paxton dhe Guvernatori i Teksasit Greg Abbott “mendojnë se ata disi kanë të drejtën të vendosin për çështjet e imigracionit, kur të gjithë e dimë se ky është një proces federal”.
Çfarë vjen më pas?
Urdhri i gjykatësit Tipton mbetet në fuqi për 14 ditë dhe mund të zgjatet edhe 14 ditë të tjera. Për të mbajtur të bllokuar këtë politikë më pas, Teksasi do të duhet të kërkojë një vendim gjyqësor.
Urdhri gjithashtu nuk ndryshon direktivat më të zgjeruara të imigracionit të ndërmarra nga administrata Biden, që përfshin një rikalibrim të përparësive të zbatimit të ligjit, që do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.
Zëri i Amerikës i kërkoi DHS-së koment, por zyrtarët e agjencisë i drejtuan pyetjet tek Shtëpia e Bardhë. Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë komente për këtë çështje./VoA/
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?
Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga qershori
Gjermania përpilon listën e bunkerëve që mund të ofrojnë str...
Moti në Shqipëri, temperaturat arrijnë deri në -2 gradë