Mustafa për Vjosa Osmanin: Nuk e meriton të jetë as një orë në Presidencë

20:05 | 23 Janar 2021
Arditë Shkodra

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa thotë se Vjosa Osmani nuk e meriton të jetë as një orë në Presidencë. Mustafa tha se me video-adresimin e saj të sotëm, Osmani petkun e u.d së presidentit po e abuzon me sjellje rebele dhe për interesa të saja të ngushta partiake në Vetëvendosje.

Shefi i LDK’së e ka quajtur të turpshme që u.d së presidenti Vjosa Osmani t’i kërcënoj sipas tij institucionet e pavarura siç është KQZ’ja.

Mustafa tutje tha se me sjelljen e saj gjatë video-adresimit në Facebook, Osmani nuk e meriton të jetë as një orë në presidencë.

“Adresimi i tillë i znj. Vjosa Osmani, flet se ajo është një ushtruese krejtësisht e papërgjegjshme e rolit të presidentit. Nga u.d presidentja është pritur ta mbrojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të mbrojë implementimin e ligjit dhe të mbrojë institucionet e pavarura. Ajo petkun e u.d së presidentit po e abuzon me sjellje rebele dhe për interesa të saja të ngushta partiake në VV. Është e palejueshme dhe e turpshme që u.d presidentja t’iu kërcënohet institucioneve të pavarura. Me këtë sjellje, ajo nuk meriton as një orë të jetë në Presidencë”,  tha Mustafa për Express

U.d së presidentit Vjosa Osmani përmes Facebook’ut sot ka folur për moscertifikimin e disa subjekteve politike dhe listave të tyre për deputetë nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Osmani ka thënë se nëse edhe njëherë abuzohet me KQZ’në sikur ditën e djeshme do të detyrohet të ndërmarrë masa.

“I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ’së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ’së dhe procesit zgjedhor”, ka thënë Osmani.

Pas një mbledhjeje maratonike me shumë debate dhe tensione, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi listat zgjedhore me emrat për deputetë të subjekteve politike, Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kjo për faktin që në listat e këtyre partive politike figuronin akoma emra që kanë probleme me ligjin, apo janë të dënuar me formë të shkallës së prerë në tri vitet e fundit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme