Maqedonia e Veriut ende po pret që të arrijnë vaksinat kundër koronavirusit, teksa autoritetet janë arsyetuar se vonesat për arritjen e tyre po bëhen për shkak se kompania amerikane, Pfizer është nën presion për të furnizuar edhe vende të tjera të botës me vaksinën e saj kundër COVID-19.
Serbia ka premtuar se do t’i japë Maqedonisë së Veriut tetëmijë doza të vaksinës së prodhuar nga Pfizeri. Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të premten për gazetarët se donacioni nga Serbia do të vijë, pasi të kryhen procedurat e çregjistrimit të tyre.
“Mbrëmë (e enjte, 21 janar) kemi pasur bisedë me përfaqësinë e Pfizerit në Beograd, që praktikisht është ndërmjetësues me zyrën e avokaturës në Nju Jork, atje po punohet në dy marrëveshjet, fillimisht në draft-marrëveshjen tonë, përkatësisht për marrjen e 800 mijë dozat tona dhe së dyti leja për autoritetet serbe, që ata të mund të na i japin ‘skedat’ që ne të mund të importojmë vaksinat nga vendi i tyre. Pres që të bisedojmë sërish sot”, tha Filipçe për gazetarët.
Ai shtoi se nga Pfizer u kanë thënë se “janë nën presion të madh nga të gjitha vendet e botës dhe kjo është arsyeja e ngadalësimit të procesit të furnizimit me vaksina, shumë më e ngadaltë nga ajo që ne presim”.
Ministri maqedonas tha se vaksinat mund të arrijnë në këtë shtet edhe para se ligjvënësit të bëjnë ndryshimet e duhura të Ligjit për furnizim me barna, ndryshime këto që sipas tij, janë imponuar nga kërkesat e kompanisë amerikane Pfizer, që ka prodhuar një nga vaksinat që po përdoren kundër sëmundjes COVID-19.
Ndryshimi i Ligjit për furnizim me barna, tashmë është në procedurë parlamentare, pasi në ligjin aktual, në nenin tetë të tij, thuhet se nuk lejohet përdorimi i barnave që vijnë nga jashtë nëse nuk ka një përfaqësues i cili do të marrë përgjegjësinë në rast se barnat apo edhe vaksinat, kanë efekte anësore në shëndetin e qytetarëve.
Autoritetet maqedonase kanë thënë se në total, nga kompania amerikane Pfizer, kanë siguruar 833 mijë doza të vaksinës, të mjaftueshme për vaksinimin e 400 mijë qytetarëve. Shkupi zyrtar është po ashtu pjesë e programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra dhe Maqedonia e Veriut pritet të marrë vaksina edhe nga ky program.
Të parët që do të vaksinohen në Maqedoni të Veriut, do të jenë punonjësit shëndetësorë.
Por, mjekët thonë se para se të nisë vaksinimi, duhet të bëhen analiza për të parë se sa prej tyre tashmë e kanë kaluar virusin dhe kanë antitrupa.
Mikrobiologu Nikolla Panovski, nga Fakulteti i Mjekësisë, thotë se shpreson që përmes imunitetit kolektiv dhe vaksinimit të popullatës, Maqedonia e Veriut të mund t’i kthehet pjesërisht normalitetit, gjatë verës së këtij viti.
“Në aspektin mjekësor, mendoj se ne do të arrijmë një imunitet më të madh kolektiv gjatë verës, meqë jemi vend me popullsi të vogël. Por, edhe me vaksinimin shpresoj që diku në fund të verës, të mund të kthehemi të paktën 80 për qind në normalitetin që ishim mësuar para pandemisë dhe në vjeshtë nxënësit të mund të kthehen në bankat e shkollës”, thotë Panovski.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut së fundmi ka shënuar rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Më 21 janar janë regjistruar 72 raste me COVID-19 dhe 13 viktima, ndërkaq janë shëruar 1,023 persona. Raste aktive janë rreth 12,000./REL
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...