Sherifi për moscertifikimin e Nismës: Vendim i gabuar dhe politik, KQZ-ja me standarde të dyfishta

00:25 | 23 Janar 2021
Trina Galanxhi

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se është një vendim i gabuar dhe politik moscertifikimi i kësaj partie dhe listës së saj për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai, në Edicionin e Analizës në Klan Kosova, ka thënë se KQZ-ja po përdorë standarde të dyfishta, derisa ka bërë një krahasim me rastin e votave të ardhura nga Serbia në zgjedhjet e kaluara.

“Argumenti jonë ka të bëjë me faktin se KQZ-ja zakonisht i ka miratuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga trupat e saj profesionale. Ju e dini që vitin e kaluar, përkundër faktit që i fituam në të gjitha instancat – në PZAP dhe Gjykatë Supreme – të gjitha kontestimet tona për vendimet e KQZ-së, kur kërkonim që votat e ardhura nga Serbia në mënyrë joligjore të mos përfshiheshin fare në numërim dhe rezultat përfundimtar argumenti i KQZ-së ishte se nuk përzihen në çështje profesionale të zyreve të tyre. KQZ-ja tha se ‘Zyra ka rekomanduar përfshirjen, numërimin dhe ne e kemi respektuar rekomandimin e tyre’ dhe nëse jeni të pakënaqur, na thanë, shkoni në PZAP dhe Gjykatë Supreme”.

“Kur zyra merr një vendim profesional bazuar në vlerësimet e tyre, KQZ-ja thotë se nuk do t’ua pranojmë një rekomandim për të cilin nuk jemi të bindur se është i bazuar në ligj, pra kemi të bëjmë me standarde të dyfishta. Kur ju pëlqen përfaqësuesve politikë të partive politike, në këtë rast LDK-së dhe PDK-së, që të mos certifikohet një parti politike nuk e respektojnë punën e organeve profesionale të tyre, derisa ndodh ndryshe kur ju konvenon dhe shkon në shërbim të interesave të tyre – siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara kur ata ngulnin këmbë që të përfshiheshin votat e ardhura nga Serbia”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme