Ministria e Jashtme ruse e konsideroi një provokim të hapur vendimin e autoriteteve shqiptare për të dëbuar një diplomat të ambasadës ruse në Tiranë për shkak të “shkeljeve të përsëritura të masava anti COVID”, raporton VOA.
Agjencia ruse e lajmeve RIA citon zëvendës ministrin e jashtëm rus Alexander Grushko, sipas të cilit veprimi i Tiranës “synon përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve” dhe se “ky hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”, ndërsa nënvizon se “një nga parimet themelore në diplomaci është reciprociteti”.
Ministria e Jashtme shqiptare bëri të ditur mbrëmë, se ka kërkuar largimin brenda 72 orësh, të Sekretarit të dytë të ambasadës ruse në Tiranë Alexey Krivosheev. Sipas njoftimit, që prej fillimit të pandemisë, diplomati rus kishte sfiduar në mënyrë të përsëritur kufizimet e vendosura nga autoritetet shqiptare, edhe pas ankesave zyrtare që i ishin drejtuar ambasadës ruse.
Por sot, ambasada ruse në Tiranë, nga ana e saj, e cilëson “të paargumentuar vendimin e autoriteteve shqiptare”, duke u shprehur se përkundër deklaratës së Ministrisë së Jashtme shqiptare, ndaj diplomatit të shpallur “person i padëshiruar”, Krivoshejev, “nuk ka patur më parë asnjë ankesë zyrtare”, dhe se “ai ka respektuar në mënyrë rigoroze karantinën”.
Sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare “sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”.
Ambasada megjithatë i konsideron “të pabazuara dhe të sajuara” akuzat ndaj diplomatit të saj, ndërsa nënvizon se dhe publikimi i emrit nga autoritetet shqiptare është në shkelje të praktikave diplomatike ndërkombëtare.
Autoritetet shqiptare deklaruan dje se uronin që “ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e dosmosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo”, duke siguruar “palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mire të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
Por për përfaqësinë diplomatike të Moskës “në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime”.
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...
Musliu: Rahoveci po rreshtohet me Bedri Hamzën