Lulzim Basha ka shpërndarë një udhëzim për bazën e Partisë Demokratike, ku mes të tjerave formaton një qëndrim se si do të sillen në takim me njerëzit derë më derë.
Top Channel ka zbuluar se ky është një format standard, ku veprimtarët e PD, nga qendra në bazë do të ketë një mënyrë sjellje të njëllojtë.
Në këtë udhëzim përcaktohen dhe fjalët që duhet të thuhen në këto takime derë më derë, duke porositur në mënyrë të veçantë që të mos harrojnë kurrë se janë përfaqësues të kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.
“Fjalët që thoni dhe përshtypja që krijoni do të kenë një efekt të madh në vendimin e votuesit.Mos harroni: Zgjedhësi ka gjithmonë të drejtë! Bëhet fjalë për zgjidhje!“, thuhet më tej në udhëzim.
Përcaktohet se si duhet të jetë toni i zërit, i butë dhe i qetë, si dhe faktin se nuk duhet të ndahet buzëqeshja nga buza.
“Jini shumë miqësor, plot me energji dhe entuziast. Toni i zërit dhe gjuha e trupit janë të rëndësishme. Një buzëqeshje thotë më shumë se mijëra fjalë. Kur ju bëjnë një pyetje që nuk mund t’i përgjigjeni, mos e improvizoni, mos gënjeni dhe mos e manipuloni përgjigjen”, shkruhet në udhëzim.
Në fund jepen disa udhëzime të veçanta: Do të zbuloni se pothuajse të gjithë do të jenë të sjellshëm dhe të gatshëm të dëgjojnë. Nëse kontaktoni me një person jo miqësor, mos debatoni – thjesht përfundoni bisedën shpejt me një falënderim dhe vazhdoni tutje. Nëse keni pyetje ose probleme, ju lutemi telefononi mbikëqyrësin tuaj.
Udhëzimi plotë i zbuluar nga “Top Channel”
Udhëzim për takimet derë më derë (Canvassing)
Fushata 25 Prill 2021
Ne do të trokasim në shtëpitë e votuesve në dy faza:
Faza e parë (realizohet nga grupe të rinjsh vullnetarë, shoqëruar nga një person përgjegjës i caktuar për një zonë të caktuar {Zyrtari përgjegjës}, pjesë e strukturës së partisë apo i caktuar nga struktura e Partisë):
Për të identifikuar votuesit.
Për t’u bërë atyre disa pyetje.
Për të mbajtur shënim (regjistruar) problemet e tyre.
Për të mbajtur shënim (regjistruar) preferencat e tyre të votimit, me qëllim identifikimin e votuesve të sigurt të PD, votuesve potencialë (që kanë votuar në të shkuarën për PD dhe janë të gatshëm që të votojnë edhe në të ardhmen), apo të votuesve të sigurt të partive të tjera.
Për t’i dhënë një mesazh përmbledhës për të votuar PD, duke i treguar në mënyrë të përmbledhur për PD, Lulzim Bashën dhe dështimet e Edi Ramës.
Faza e dytë (kandidatët për deputetë, të shoqëruar nga një grup të rinjsh vullnetarë):
Për t’u treguar votuesve për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.
Për t’i bindur që të votojnë për Partinë Demokratike.
Për t’u dhënë atyre një pjesë të literaturës së fushatës (broshurë).
Për të bashkëbiseduar me ta dhe për t’u prezantuar zgjidhjet që ofron Partia Demokratike për problemet e tyre.
Gjatë kësaj fushate derë më derë nuk duhet të harrojmë se:
Si parti politike ne jemi për të zgjidhur problemet e votuesve. Ky është misioni kryesor i çdo partie.Kjo është ajo që çdo votues pret nga ne.
Partia që mund ta bindë votuesin se do të zgjidhë problemet e tij, do të fitojë zgjedhjet!
Kjo është detyra më e RËNDËSISHME në fushatë, më produktive për të siguruar fitoren dhe duhet të bëhet me SERIOZITETIN më maksimal të mundshëm.
Si ta bëjmë fushatën derë më derë?
Ndajmë zonat brenda një ZAZ dhe caktojmë zyrtarin përgjegjës për atë zonë, si dhe grupet e vullnetarëve që na nevojiten. Numri i zyrtarëve përgjegjës, grupeve të vullnetarëve dhe zonat përkatëse, caktohen nga Shtabi në varësi të madhësisë së zonës, numrit të votuesve dhe nevojës për të përfunduar procesin në secilën fazë brenda afatit të caktuar.
Zyrtari përgjegjës do të shoqërohet nga një ose më shumë vullnetarë të cilët do ta ndihmojnë atë për të regjistruar të dhënat e votuesve, sipas formatit të dërguar.
Kur të keni mbaruar në terren, vullnetarët dhe zyrtari përgjegjës kthehen në zyrën e Shtabit dhe ju lutemi kaloni menjëherë, por jo më vonë se ditën tjetër, të dhënat në sistemin CRM në mënyrë që të jemi në gjendje të vlerësojmë shpejt rezultatet e canvassing dhe të ndjekim progresin.
Pajisja me Badge për vullnetarin- duke e mbajtur këtë badge do t’ju identifikojë si një vullnetar fushate.
Pajisja me Broshurat e Fushatës – jepini një nga këto broshura secilit votues.
Çfarë të thuash, si ta thuash atë
Mos harroni se ju jeni një përfaqësues personal i partisë dhe i Lulzim Bashës, Kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Fjalët që thoni dhe përshtypja që krijoni do të kenë një efekt të madh në vendimin e votuesit.Mos harroni: Zgjedhësi ka gjithmonë të drejtë!
Tregoni se jeni shumë i interesuar dhe empatik ndaj problemeve të votuesve. Dhe theksoni që Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kanë zgjidhjen dhe i thoni votuesit tek i cili do të shkoni që t’ia paraqisni atij / asaj herën e dytë kur do të vizitojmë këtë votues.Mos harroni ato që thamë më lart për fitoren e zgjedhjeve. Bëhet fjalë për zgjidhje!
Si duhet të sillemi?
Jini shumë miqësor, plot me energji dhe entuziast.
Mos improvizoni, por qëndrojuni besnik pyetjeve dhe mesazhit siçështë në formatin bashkëlidhur.
Toni i zërit dhe gjuha e trupit janë të rëndësishme.
Një buzëqeshje thotë më shumë se mijëra fjalë.
Mësoji pikat e Formatit bashkëlidhur dhe mos lexoni gjatë kohës që bashkëbisedoni me votuesin.
Rreth pyetjes së vështirë:
Kur ju bëjnë një pyetje që nuk mund t’i përgjigjeni, mos e improvizoni, mos gënjeni dhe mos e manipuloni përgjigjen.
Thjesht tregojini votuesit se jeni vullnetar, se nuk e dini përgjigjen, por do ta zbuloni dhe do t’i ktheni atij përgjigje.
Pastaj paraqisni pyetjen e votuesit tek mbikëqyrësi juaj ose direkt në Selinë Qendrore, cilado qoftë çështja.
Udhëzime të veçanta:
Do të zbuloni se pothuajse të gjithë do të jenë të sjellshëm dhe të gatshëm të dëgjojnë.
Nëse kontaktoni me një person jo miqësor, mos debatoni – thjesht përfundoni bisedën shpejt me një falënderim dhe vazhdoni tutje.
Nëse keni pyetje ose probleme, ju lutemi telefononi mbikëqyrësin tuaj.
I pandalshëm Ronaldo, 39-vjeçari realizon tjetër gol me Port...
Biden takon liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Duke kujtuar të kaluarën, men...
Abdixhiku në Podujevë: Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndrysh...
Autoritetet zvicerane iu dalin “hak” huliganëve ...
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...