Pasiguri për kreditë/ Bankat tregtare shtrëngojnë kushtet

14:04 | 21 Janar 2021
Arbresh.info

Pandemia ka bërë që bankat tregtare të shtrëngojnë kushtet e kreditimit, pasi kanë perceptuar rrezik të shtuar lidhur me pasiguritë që ka shkaktuar kriza.

Në vrojtimin e fundit të Bankës së Shqipërisë rezulton se termat e kreditimit janë vështirësuar ndjeshëm për kreditë e reja për të gjitha kategoritë e bizneseve.

Sa i përket kërkesës për kredi, banka qendrore vlerëson se ka pësuar ulje në tremujorin e fundit të 2020-ës, veçanërisht për segmentin e biznesit të vogël e të mesëm si dhe te huatë e dhëna për financimin e investimeve.

Vështirësitë financiare të bizneseve, rënia e besimit të tyre si dhe përdorimi i burimeve të brendshme të financimit evidentohen nga bankat si faktorët kryesorë që kanë sjellë në tkurrjen e kërkesës për kredi.

Ndërsa ka pasur një kërkesë të shtuar nga ana e bizneseve të mëdha për kredi për likuiditet, e cilësuar edhe si një ndër shqetësimet kryesore të kohëve të fundit.

Në kushte të tilla kur pasiguritë janë ende të larta, bankat e nivelit të dytë vlerësojnë se kërkesa për kredi nga bizneset do të jetë e ulët edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

Ndryshe paraqitet situata për individët, pasi bankat janë treguar më tolerante duke lehtësuar kushtet e kreditimit gjatë, diçka që pritet të zgjasë edhe në pjesën e parë të vitit aktual.

Në tremujorin e fundit të 2020-ës, kërkesa për hua nga individët është ulur, por bankat janë optimiste për vitin aktual pasi presin një përmirësim të këtij treguesi, veçanërisht në segmentin e kredisë konsumatore.

Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë vendosi të shtyjë deri më 31 mars 2021 afatin për masat që lehtësojnë ristrukturimin e kredive, një kërkesë kjo e bërë nga Shoqata e Bankave në fund të vitit të kaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme