(Në 15-vjetorin e shkuarjes së tij)
I. Mbamendje
Ibrahim Rugova qe dhe është shqiptari i ditur dhe prijësi politik i dashur i shqiptarëve. Lindi në Cërrcë më 1944 dhe dha frymën e fundit në Prishtinë më 2006.
Në politikë hyri me identitet krijuesi e dijetari. Që nga themelimi udhëhoqi LDK-në, me tri postulatet programore: liri, pavarësi, demokraci, dhe punoi për themelimin e Kosovës së pavarur.
U zgjodh President i Kosovës, dy herë me votë të drejtpërdrejtë qytetare dhe dy herë me votë popullore të deleguar në Kuvendin e Kosovës. Organizoi referendum për pavarësinë e Kosovës dhe punoi për njohjen e saj ndërkombëtare. Ideoi dhe propozoi simbolet shtetërore të Kosovës, Flamurin dardan dhe Himnin me një këngë kushtrimore të Kosovës. U vu në ballë të Këshillit të Partive Politike Shqiptare, duke kërkuar konsensusin demokratik për krijimin e institucioneve të shtetndërtimit dhe pajtimin për interesat strategjike kombëtare të vendit.
Ka 15 vjet që veprimi i tij është pranuar historik, por e sotmja politike në mesin tonë e bën me pasion ligjërimin për këtë histori të ndodhur, sikur të ishte ende e pashkruar.
Prandaj, kjo mbamendje.
II. Politika e Rugovës
1. Politika e Rugovës është politikë kombëtare me fytyrë të njeriut që krijon miqësi. Është frymë e përbashkimit shqiptar të krahinave, feve e ideve. Është politikë e mosdhunës dhe e durimit, jo vetëm në zgripin e katastrofës, por edhe e provës universale: që dhuna lind e riprodhon dhunën. Është legale e legjitime për ta promovuar solidaritetin e popullit si tërësi, duke pasur parasysh energjinë krijuese të mbrendshme, të pacenueshme nga ndasitë. Është ftesë për mirëkuptim (të mbrendshëm) dhe ftesë për marrëdhënie (të jashtme); ofertë për bashkëpunim për marrje e dhënie, e shqiptuar me fjalë të buta, pa klithma të dëshpërimit.
III. Rugovizmi
2. Rugovizmi është sjellje shqiptare e kultivuar, për ta mundur injorancën, padijen, si gjendje që duhet të ndryshohet. Kërkon veprimin e matur si përhershmëri përkundrejt rebelimit frymëfyt dhe cubnisë individuale, e cila nuk parasheh pasojat. Rugovizmi nuk është mitizim, përkundrazi është demitizim, qoftë duke trajtuar figurën politike, krijuese e kulturore të Ibrahimit. Rugovizmi i parë si lexim i gjesteve individuale të Ibrahim Rugovës, është padije e moskuptim.
3. Rugovizmi si frymë e praktikë kërkon zbatim në rrethana, mirëpo nuk mund të shpërdoret. Rugovizmi ka shtrirje në kohë; përthyerja e vlerësimi i tij në çast është thjeshtim apo moskuptim në thelb. Rugovizmi tashmë nuk është vetëm model, por edhe traditë politike, sepse rugovizmi jetohet e përjetohet para se të bëhet vepër e kryer.
IV. Trashëgimi
4. Doktrina politike e sistemit demokratik nuk parasheh as nuk paragjykon prijësin trashëgimtar me emër e me mbiemër. Aq më pak trashëgimtar të vetëshpallur me emër e mbiemër të vetin. Edhe më pak individ që vetëprojektohet për t’i prirë apo për t’i grahur grigjës. Shembulli e ilustron modelin.
5. Rugova as në teh të mendjes nuk e ka pasur të propozojë apo të emërtojë trashëgimtar. Nuk mund ta bënte këtë njeriu që alfë dhe omegë të zgjedhjes së udhëheqësit e kishte votën e lirë qytetare. Prandaj, është rrenë e gjysagjelave që riprodhohet se si Filani apo Fisteku paska qenë i zgjedhur i tij apo i rekomanduari i tij, si trashëgimtar.
6. Liliputanët, që kujtojnë se duke hipur në krah të kolosit shohin më larg; janë më qesharakët e naivët, sidomos kur “bëjnë bé” rrejshëm se e kanë njohur, madje përmendin fjalët testamentare “që ua ka thënë në besë”.
V. Lakmia e përvetësimit
7. Rugova nuk njihet me lakmi, por me dashuri njerëzore. Është një dhe nuk pjesëtohet as kulturalisht as politikisht. Mirëpo, në shoqërinë e injorancës, është kaq e gjallë makutëria që vlera të mos njihet e të krijohet por të rrëmbehet e të posedohet.
Kur ndërroi jetë Rugova qindra mijëra njerëz të Kosovës, shqiptarë e të jashtëm, erdhën në Prishtinë t’ia bëjnë nderimin. U bënë një. Por makutëria e përvetësimit nuk njeh moral as ideal. Pas 15 vjetësh, zotëron teknika agresive e copëtimit. Rivaliteti i do dy koka të krisura që e kanë vështirë të kuptohen.
8. Secila palë e do për vete, ose Hasreti Ibrahim, ose Shenjtori Ibrahim, duke e paragjykuar besimin e Rugovës, që ishte besim i librave abrahamikë. Rugova tha për vete: “Jam shqiptar, mysliman simbolik”, që do të thotë jopraktikues. I yni, thonë palët, gjithsecili duke kujtuar mënyrën se si u falën e u lutën në varrimin e tij.
9. Një dinjitar fetar tha: “Kurrë nuk ka vdekur si mysliman” dhe shtoi “ka pasur krishterimin, nëpër gishta, nëpër mendje e shpirt”, vijoi edhe më, “ka qenë shpirt katolik, këtë s’e mohon as Zoti”! Dinjitari fetar pa dije e rivalizon edhe Njeriun edhe Zotin, me zjarrminë e posedimit.
Ibrahim Rugova vetë, këto çështje i kishte mbyllur herët me penën e vet te “Bota e re” e studentëve, të cilën e redaktonte në fillim të viteve shtatëdhjetë. Atëherë Rugova shkroi artikullin polemik “Kush është gjak shqiptari?!”.
10. Rugova nuk mund të pjesëtohet përmes lakmisë për ta përvetësuar. Ai mësoi dhe punoi për përbashkësinë shqiptare nëpërmjet ideologjisë kombëtare: për gegë e toskë, duke pëlqyer doktrinën besimtare të krishterë – “dashurinë” dhe doktrinën besimtare islame – “paqen”. Prandaj: “me e dashtë paqen” është doktrina e tij kundër urrejtjes, ndarjes, e dhunës.
VI. Vëmendje
LDK-ja sot duhet të ruajë parimet themelore të partisë së djathtë nacional-demokratike, kundër tiranisë së majtë komuniste. Ndryshimet e ngutshme programore e vepruese do ta shpinin qoftë kah klientelizmi politik (ku të tjerë janë mjeshtër të provuar), qoftë kah përmbysjet e mësymjet revolucionare me ambicie totalitare (që i ka provuar historia). Në konkurrencën politike në Kosovë, LDK-ja përballet me rivalë të egër, që kanë një rrënjë e një qëllim: marrjen e pushtetit me çdo kusht, të frymëzuar edhe nga revanshi historik për sistemin e përmbysur.
Nuk mund ta bartë shenjën e LDK-së as të rugovizmit askush që në trajtë plangprishësi ndahet nga shtëpia e moçme, për të gjetur strehë të tjera, sidomos nën çadrën ideologjike të partive rivale. Këto shenja janë të rënda edhe për arrivistët e rinj e të vjetër që mburren për nisje të kryengritjes rugoviste. Kryengritjet te ne janë të panumërta, si dhe tragjike. Nuk mund të ketë kryengritje rugoviste.
Ka vetëm punë për fitore rugoviste. Këtu e ka bazën politika e urtë e LDK-së së Rugovës që ka vizionin se mendimi duhet t’i prijë veprimit.
Kërkesat për ndryshime të mbrendshme nuk barazohen me konvertime politike. Konvertimi politik është korrupsion i idesë e i programit. Prandaj, konvertitët kudo që shkojnë mbeten arrivistë. Të jesh rugovist pa LDK-në është e pamundshme dhe e pakuptueshme.
Duket që është bërë modë të flitet kundër LDK-së. Apologjia e LDK-së është detyrim dhe nevojë. Apologjia e saj është zbatimi i programit të saj politik.
Kjo është vëmendje që buron nga veprimi i Ibrahim Rugovës, organizatorit më karizmatik të vullnetit të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesit ekselent të Kosovës dhe të njohjes së saj.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...