Me presidentin e ardhshëm amerikan Joe Biden, SHBA dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërtojnë një aleancë të re, deklaroi sot presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në ditën e parë të mandatit të tij, unë i dërgoj një propozim solemn presidentit të ri të SHBA-së. Le të ndërtojmë një pakt të ri themelues. Për një Evropë më të fortë. Për një Amerikë më të fortë. Për një botë më të mirë”, tha presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Parlamentin Evropian, vetëm disa orë para betimit të Bidenit për president.
Duke e quajtur inaugurimin e Bidenit sot një “Ditë të madhe për demokracinë amerikane”, Michel shprehu shpresën për rinovimin e lidhjeve midis bllokut dhe SHBA-së si një shembull i “themelit të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.
Udhëheqësi i BE-së renditi 5 pika kryesore të bashkëpunimit BE-SHBA në vitet e ardhshme: rritja e bashkëpunimit shumëpalësh, luftimi i COVID-19, trajtimi i ndryshimeve klimatike, rindërtimi i lidhjeve ekonomike duke siguruar tregti të ndershme dhe bashkimin e forcave për sigurinë dhe paqen.
Me qëllim të angazhimit në këtë drejtim, Michel ftoi Bidenin në Bruksel që të marrë pjesë në Samitin e liderëve të BE-së.
Vërejtjet erdhën pas 4 viteve lidhje të ngurta nën administratën e Donald Trumpit, vite në të cilat Trump rregullisht ka ofenduar dhe nënçmuar aleatët tradicionalë evropianë të SHBA-së, duke nënvlerësuar dhe kërcënuar haptazi lidhjet transatlantike.
“Mesazhi i shërimit”
Duke folur në Parlamentin Evropian në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjithashtu iu bashkua Michel në përshëndetjen e inaugurimit të Bidenit.
“Betimi i Joe Biden do të jetë një mesazh shërimi për një komb thellësisht të përçarë. Dhe do të jetë mesazh shprese për një botë e cila pret që SHBA të kthehet në rrethin e shteteve me të njëjtin mendim”, tha ajo.
Von der Leyen gjithashtu vlerësoi vendimin e Bidenit për t’u bashkuar me Marrëveshjen e Parisit për Klimën në ditën e tij të parë në detyrë, një pakt i braktisur nga Trump.
Në trazirat vdekjeprurëse të 6 janarit në Kapitollin e SHBA-së, Von der Leyen foli për rreziqet që kërcënojnë demokracinë.
Ngjarjet demonstrojnë “çfarë ndodh kur gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rreme përhapen furishëm përmes mediave dixhitale”, tha ajo.
Megjithatë, ajo kritikoi gjigantët e mediave sociale për mbylljen e llogarive të Trumpit, një veprim që ata e quajtën të domosdoshëm për sigurinë publike, pasi Trump u akuzua gjerësisht për nxitje të trazirave.
“Një ndërhyrje e tillë serioze në lirinë e shprehjes duhet të bazohet në ligje dhe jo në rregullat e kompanisë. Duhet të bazohet në vendimet e politikanëve dhe parlamenteve dhe jo të menaxherëve të Luginës së Silikonit (Silicon Valley)”, u shpreh presidentja e KE-së.
Joe Biden do të betohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot në orën 12:00 të mesditës sipas kohës në Washington, D.C. (ora 17:00 sipas kohës së Evropës Qendrore).
Zarf gri dhe eleminim, sonte pritet një ‘prime’ i zjarrtë në...
Kumbaro: Buxheti 2025 me rritje – 10,4 milionë vizitor...
Projektbuxheti 2025- Balluku: Financim Korridorit 8 dhe Blu,...
A të bën të lumtur paraja? Përgjigjen banorët
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë Memorandumin e M...
Haradinaj: Të tjerët japin grante për familjarë, ne do të ul...