Në Uashington të Shteteve të Bashkuara të mëkurën (20 janar) do të bëhet inaugurimi i presidentit të 46-të të vendit, demokratit, Joe Biden. Ai së bashku me zëvëndëspresidenten e zgjedhur, Kamala Harris, do të fillojnë udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në kohën kur vendi dhe bota po përballen me pandeminë e koronavirusit dhe një sërë sfidash të përçarjeve të brendshme dhe të politikës së jashtme.
Vendimet e para
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka në plan të nënshkruajë dhjetëra urdhra ekzekutivë për të përmbysur disa nga vendimet e presidentit, Donald Trump mbi migracionin, ndryshimin e klimës si dhe për të shtuar përgjigjen e qeverisë ndaj krizës së koronavirusit. Menjëherë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020, ndërsa rrjetet kryesore të lajmeve në SHBA parashikuan një fitore të Bidenit, ai iu drejtua mbështetësve dhe u premtoi se do të përpiqet ta bashkojë një vend të ndarë.
“Unë zotohem se do të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë. Që nuk i sheh shtetet e kuqe (republikane) dhe shtetet e kaltra (demokrate), por i sheh vetëm Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden.
Kriza e COVID-19
Biden do të synojë një plan shpenzimesh prej 1.9 trilion dollarësh në mënyrë që të përshpejtohet shpërndarja e vaksinave kundër koronavirusit dhe të mbështesë një lehtësim ekonomik për miliona amerikanë të dëmtuar nga pandemia. Shanset që ky plan të fitojë mbështetjen në Kongres, janë të paqarta. Shumë republikanë kanë kundërshtuar përdorimin e parave të huazuara për të paguar stimulin.
Administrata e tij pritet të vendosë masën e mbajtjes së obliguar të maskës në të gjitha pronat federale, aeroplanë dhe autobusë.
Një vendim tjetër i pritshëm, sipas agjencisë Reuters, është zgjatja e lehtësimeve për pagesat e kredive studentore federale si dhe zgjatja e një moratoriumi dëbimi.
Ai pritet të nënshkruajë një urdhër që ndihmon shkollat dhe bizneset të rihapen në mënyrë të sigurt, zgjerimin e fushatës së testimit kundër koronavirusit dhe vendosjen e standardeve më të qarta të shëndetit publik.
Biden ka thënë se do të kthejë Shtetet e Bashkuara si anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Presidenti në largim, Donald Trump u tërhoq nga kjo organizatë, duke thënë se ajo nuk arriti të mbikëqyrë siç duhet pandeminë e COVID-19.
Pandemia e koronavirusit ka marrë mbi 400 mijë jetë në SHBA.
Klima
Presidenti në largim, Donald Trump vazhdimisht ka hedhur poshtë konsensusin shkencor se prodhimi industrial po shkaktonte ngrohjen globale. Ai gjithashtu është mburrur me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja globale e Parisit për ndryshimin e klimës.
Në javët e tij të para në detyrë, Biden pritet të përmbysë disa nga vendimet e Trumpit, të bashkojë përsëri Shtetet e Bashkuara me Marrëveshjen e Parisit dhe të urdhërojë çdo agjensi federale për të identifikuar se kush është përgjegjës për luftimin e ndryshimit të klimës. Biden pritet të rivendosë kufijtë e ndotjes me metan për operacionet e reja dhe ekzistuese të naftës dhe gazit, të shfuqizuara nga Trumpi.
Ai do të përdorë sistemin e prokurimit të qeverisë federale – i cili shpenzon 500 miliardë dollarë çdo vit – për t’i bërë objektet më të varura nga energjia e pastër dhe për të blerë automjete që nuk emetojnë gazra. Një masë tjetër do të jetë ajo e anulimit të lejes për tubacionin Keystone XL, i cili do të transportonte naftë nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara.
Migrimi
Biden pritet të shfuqizojë ndalimin e pothuajse të gjitha udhëtimeve nga disa vende me shumicë myslimane.
Ai do të dërgojë në Kongres një projektligj gjithëpërfshirës të imigracionit që mund të legalizojë miliona emigrantë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara – pa leje ligjore. Biden synon të rivendosë programin “Ëndërrimtarët” që u mundëson qëndrimin në SHBA personave që kanë hyrë ilegalisht kur kanë qenë fëmijë.
Biden pritet të përmbysë politikën e Trumpit që ndau prindërit emigrantë nga fëmijët e tyre në kufi, duke përfshirë përfundimin e ndjekjes penale të prindërve për shkelje të vogla të imigracionit dhe vendosjen e përparësive të ribashkimit të fëmijëve të ndarë nga familjet e tyre.
Administrata e re pritet të ndryshojë edhe politikat kufizuese të azilit, të tilla si vendosja e kufizimeve shtesë për këdo që udhëton përmes Meksikës ose Guatemalës dhe përpjekjen për të parandaluar që viktimat e bandave dhe dhunës në familje të marrin azil. Biden do t’i japë fund edhe masës së Emergjencës Kombëtare të Trumpit, që e lejoi atë të zhvendoste fondet federale nga Departamenti i Mbrojtjes, për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit të SHBA-së me Meksikën.
Politika e jashtme
Në çështjet ndërkombëtare, Biden ka thënë se ai synon t’i vendosë Shtetet e Bashkuara “përsëri në krye të tryezës”. Disa nga pozicionet e tij të politikës së jashtme të së kaluarës i kanë kushtuar me më pak mbështetje brenda Partisë Demokratike – si vota e tij në favor të pushtimit të vitit 2003 në Irak. Gjatë fushatës së tij, Biden sinjalizoi se ai do të dëshironte të rinovonte marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin, e cila kufizoi programin e tij bërthamor, ndërsa ofroi lehtësime sanksionesh. Trump u tërhoq nga ajo marrëveshje në vitin 2018, duke thënë se ajo ishte e keqe dhe lejonte Iranin të posedojë armë bërthamore.
Biden, gjithashtu, ka marrë një pozicion të fortë kundër Rusisë, duke dënuar rolin e saj në konfliktin në Ukrainë dhe pretendimin e ndërhyrjes së saj në zgjedhjet e SHBA-së në vitin 2016. Ai pritet të përpiqet të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët e SHBA-së, që kritikët thonë se u thyen nën qasjen e Trumpit, “Së pari Amerika” (America First).
Administrata e presidentit, Donald Trump e vendosi Kinën në qendër të vëmendjes dhe arriti krijimin e një mbështetjeje dypartiake dhe gjithnjë e më kundërshtare të SHBA-së për ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Trump vendosi tarifa miliarda dollarëshe ndaj importeve të Kinës dhe sanksione kundër zyrtarëve të lartë. Po ashtu, administrata e tij ndërmori masa edhe ndaj kompanive të mëdha teknologjike kineze si Huawei, ZTE, SMIC dhe TikTok.
Disa aleatë, megjithatë, kanë ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e këtyre masave dhe shpresojnë që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, i cili ka premtuar të jetë po aq i ashpër me Kinën, do të koordinohet më mirë me ta për të frenuar Pekinin, shkruan Reuters.
Të dyja fuqitë globale janë gjithnjë në mosmarrëveshje për një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë Hong Kongun, Tajvanin dhe Detin e Kinës Jugore.
Biden ka qenë i paqartë në lidhje me planet e tij për disa nga masat e Trumpit dhe do të jetë e vështirë për të që të zhbëjë në mënyrë dramatike shumë prej tyre, duke pasur parasysh ndjenjën anti-kineze dypartiake në Kongresin e SHBA-së.
Trump ka përmbysur disa parime të politikës së jashtme të SHBA-së të pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë edhe vënien nën dyshim të aleancës së NATO-s.
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka thënë se një nga përparësitë e tij të para do të jetë që të kontaktojë me aleatët e NATO-s për të rregulluar marrëdhëniet.
Inaugurimi nën masa të rrepta sigurie
Menjeherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor më 3 nëntor 2020, presidenti aktual, Donald Trump filloi me akuza të pabazuara për mashtrim zgjedhor. Një sërë padish në gjykata lokale dhe atë Supreme u hodhën poshtë, si të pabazuara.
Më 6 janar, një grup protestuesish hyn dhunshëm në ndërtesën e Kongresit amerikan derisa ligjëvënësit po certifikonin fitoren e Bidenit. Pesë persona mbetën të vdekur nga trazirat.
Pas kësaj ngjarjeje, guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ndihmën e trupave të Gardës Kombëtare dhe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Kongresi nisi menjëherë një proces shkarkimi ndaj Trumpit.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për dhunë të mundshme në të gjitha kryeqytetet e shteteve amerikane dhe ka thënë se ka gjurmuar “biseda shqetësuese online”, përfshirë edhe biseda ku bëhej thirrje për protesta të armatosura.
Masat e mbylljes në Uashington kanë lënë zbraztë rrugët kryesore, që zakonshëm, janë të mbingarkuara. Një gardh i madh me gjemba është vendosur përgjatë ndërtesës së Kongresit. Kryetarja e qytetit të Uashingtonit ka thënë se kushdo që do të gjendet brenda perimetrit të vendit ku do të mbahet inaugurimi i Bidenit, do të ndalohet dhe do të merret në pyetje nga zyrtarët.
Trump nuk e ka uruar Bidenin për fitoren. Ai as nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të tij. Por, nënpresidenti amerikan, Mike Pence e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Ai e ka telefonuar nënpresidenten e zgjedhur, Kamala Harris për ta uruar për fitoren në zgjedhje, kanë konfirmuar më 16 janar dy persona që ishin në dijeni për këtë çështje. /REL/
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...