Ndërsa vaksinimi në masë ka filluar të sigurojë imunitet kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në botë, shumë vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta që nuk e kanë fuqinë ekonomike të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të parablerjes me kompanitë që zhvillojnë vaksinat, mund të mos kenë qasje në vaksina deri në pranverë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të qëllimeve të Programit Global të Qasjes në Vaksina COVID-19 (COVAX), i cili u iniciua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të siguruar që vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim të mund të kenë qasje në vaksina në mënyrë të barabartë, parashihet që shpërndarja e 2 miliardë dozave të vaksinave të planifikuara të dërgohen në 92 vende nevojtare në vitin 2021 të fillojë në fund të marsit.
Ndërsa fushatat e vaksinimit tashmë kanë filluar në shumë vende me të ardhura të larta dhe të mesme, vaksinat ende nuk janë shpërndarë në vendet në nevojë në kuadër të COVAX.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë mbi këtë temë, tërhoqi vëmendjen për pabarazinë në qasjen ndaj vaksinave midis vendeve të botës.
“Megjithëse vaksinat sjellin shpresë për disa, ne jemi në rrezik të bëhemi një tullë tjetër në murin e pabarazisë midis të pasurve dhe të varfërve në botë”, paralajmëroi ai.
“Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral”
Duke deklaruar se më shumë se 39 milionë doza të vaksinave janë administruar në 49 vende me të ardhura të larta deri më tani dhe vetëm 25 doza janë injektuar në një vend me të ardhura të ulëta, Ghebreyesus tha: “Unë duhet të jem i sinqertë. Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral. Çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetën e njeriut dhe burimet e jetesës në vendet më të varfra të botës”.
Ai ka nënvizuar se pabarazia në qasjes e hershme në vaksina është për shkak të marrëveshjeve bilaterale të bëra nga vendet e pasura me prodhuesit e vaksinave. Ghebreyesus kujtoi se 44 marrëveshje bilaterale janë bërë midis vendeve me të ardhura të larta dhe kompanive të vaksinave në vitin 2020 dhe të paktën 12 këtë vit.
Ghebreyesus theksoi se vendet dhe prodhuesit që u japin përparësi marrëveshjeve dypalëshe në sigurimin e vaksinave e vënë në rrezik programin COVAX, i cili synon qasje të barabartë në vaksina.
Marrëveshjet bilaterale: Kush jep paratë, merr vaksinën
Deri më tani, SHBA-ja, Kanadaja, Brazili, Meksika, vendet e Bashkimit Evropian (BE), Britania, Rusia, India, Pakistani, Uzbekistani, Indonezia, Kina, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Egjipti, Nepali, vendet e Bllokut të Lindjes së Mesme, vendet e Bllokut të Amerikës Latine, vendet e Bashkimit Afrikan dhe Turqia kanë bërë marrëveshje paraprake për të blerë miliona doza vaksinash me prodhuesit e vaksinave nga vende të ndryshme.
Marrëveshjet imponojnë një përgjegjësi serioze të furnizimit për kompanitë prodhuese. Për shembull, për vaksinën e zhvilluar nga kompania gjermane e bioteknologjisë BioNTech me kompaninë farmaceutike Pfizer, e njohur si “vaksina e parë kundër COVID-19 e certifikuar në botë”, janë bërë marrëveshje paraprake për 300 milionë doza me BE-në, 200 milionë doza me SHBA-në, 120 milionë me Japoninë, 100 milionë me Kinën, 40 milionë me Britaninë, 34 milionë doza me Meksikën, 20 milionë me Kanadanë, 20 milionë me Korenë e Jugut, 10 milionë me Australinë dhe 4,5 milionë doza të vaksinës me Turqinë me mundësi për rritje deri në 30 milionë deri në fund të vitit.
Pfizer synon të prodhojë 1,3 miliardë doza vaksine deri në fund të vitit 2021. Pjesa më e madhe e kësaj sasie do të alokohet për dozat e premtuara sipas marrëveshjeve dypalëshe.
Vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit me kompaninë farmaceutike AstraZeneca dhe ajo e përgatitur nga kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive janë rezervuar gjithashtu nga shumë vende përmes marrëveshjeve paraprake.
Nga vaksina Oxford-AstraZeneca, India ka porositur 1 miliard doza, BE-ja 400 milionë doza, SHBA-ja 300 milionë, Kina 200 milionë, Blloku i Amerikës Latine 150 milionë, Japonia 120 milionë doza, Britania 100 milionë, Brazili 100 milionë, Indonezia 100 milionë, Meksika 77 milionë, Australia 34 milionë doza, Kanadaja 20 milionë dhe Koreja e Jugut po ashtu 20 milionë doza.
AstraZeneca synon të prodhojë 2 miliardë doza vaksine në vitin 2021, ndërsa vetëm 170 milionë doza të kësaj sasie do të rezervohen për programin COVAX.
Moderna gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje paraprake për 200 milionë doza me SHBA-në, 160 milionë doza me BE-në, 50 milionë me Japoninë, 40 milionë me Kanadanë, 20 milionë me Korenë e Jugut dhe një numër të pacaktuar dozash me Katarin. Kompania, e cila nuk ka asnjë vaksinë tjetër të përdorur në treg dhe sapo ka filluar të ndërtojë kapacitetin e saj të prodhimit, synon të prodhojë 500 milionë deri në 1 miliard doza këtë vit.
Përveç këtyre, para-porosi janë bërë edhe për vaksinat Sputnik V të Rusisë, vaksinat e kompanive kineze Sinopharm dhe Sinovac, dhe disa vaksina që aktualisht janë në provat klinike të fazës 3.
Nevojë urgjente për vaksinim në Afrikë
OBSH ka paralajmëruar se vendet afrikane do të pësojnë më shumë nga shpërndarja e pabarabartë e vaksinave.
Zyra e OBSH-së në Afrikë, në një deklaratë më 14 janar, ka theksuar se vaksinimi tashmë zhvillohet në mënyrë “të pabarabartë” në gjithë botën, duke theksuar se “Është për të ardhur keq që shpërndarja e vaksinave ka qenë e pabarabartë deri më tani”.
Në deklaratë thuhej se në kuadër të programit COVAX, 600 milionë doza të vaksinave janë planifikuar t’i sigurohen kontinentit afrikan në vitin 2021 dhe se vaksinat e para planifikohet të arrijnë në vendet afrikane në fund të marsit dhe shpërndarja masive të bëhet në qershor.
Ndalim i eksportit për Institutin e Serumit të Indisë
Nga ana tjetër, ndalimi i përkohshëm i qeverisë indiane ndaj Institutit të Serumit të Indisë, i cili është prodhuesi më i madh i vaksinave në botë dhe planifikohet të prodhojë 1 miliard doza vaksinash që do të shpërndahen nën programin COVAX, ka qenë faktori më i rëndësishëm në vonimin e shpërndarjes së vaksinave.
Qeveria e New Delhit ka miratuar përdorimin e dy vaksinave të prodhuara nga kompania për COVAX “me kusht që të mos bëhen eksporte derisa të arrihet garancia se komunitetet e prekshme në Indi janë të mbrojtura”. Kështu, kompania tani mund ta furnizojë me vaksina vetëm qeverinë indiane.
Kompania ka nënshkruar një kontratë për të prodhuar vaksinën Oxford-AstraZeneca që do t’i dorëzohet programit COVAX dhe për të prodhuar 100 milionë doza të vaksinës të zhvilluar nga kompania amerikane Novavax, e cila nuk është miratuar ende për përdorim.
Nga ana tjetër, OBSH-ja është në negociata me kompaninë për të prodhuar 300 deri 400 milion doza përveç atyre të specifikuara në kontratë. Është planifikuar gjithashtu që deri në fund të vitit, kompania të sigurojë 200 deri në 300 milion doza shtesë të vaksinave për COVAX.
Parashikohet që arritja e vaksinave të para në vendet që kërkojnë doza nën programin COVAX mund të vonojë deri në pranverë për shkak të ndalimit të eksportit.
20 për qind e popullsive është planifikuar të vaksinohen me COVAX
COVAX u lançua në prill 2020 nga OBSH-ja, me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe Francës, me idenë që pandemia COVID-19 mund të kapërcehet vetëm me vaksina të sigurta dhe efektive.
Projekti, i realizuar në koordinim me Aleancën e Vaksinave (Gavi) dhe Koalicionin e Inovacionit për Gatishmërinë Epidemike (EPI), do të mbështesë zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme financiare për vendet në nevojë për shpërndarjen e barabartë të vaksinave që janë provuar të jenë efektive kundër virusit.
Në fazën e parë të projektit, synohet të vaksinohet 20 përqindëshi i rrezikuar i popullsive të 190 vendeve pjesëmarrëse.
Programi parashikon që përparësi t’i jepet vaksinimit të 20 për qind të popullsive, apo grupeve me rrezik të lartë, duke përfshirë profesionistët e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Në fazën e dytë synohet të sigurohet vaksina prioritare për vendet me faktorë të lartë rreziku, siç janë vendet më të prekura nga COVID-19, vendet me sistem të pamjaftueshëm shëndetësor dhe ato me popullsi të brishtë.
Përveç fazës së parë dhe të dytë, është planifikuar të vaksinohen refugjatët, azilkërkuesit dhe grupet e popullsive që kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe personeli që punon për t’i ndihmuar këto grupe.
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...