Nesër vendoset fati i kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën kanë filluar verifikimin e listave të partive politike, të cilat mund të kenë kandidatë me dënime të formës së prerë në tri vitet e fundit. Ky proces do të përfundojë të mërkurën e 20 janarit.
Listat e partive politike me kandidatët për deputetë do t’u nënshtrohen verifikimit në gjashtë institucione, shkruan Arbresh.info.
Këtë e ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Janë dërguar në 6 institucione shkresa të veçanta për të kërkuar konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtyre shkresave, i janë bashkangjitur edhe lista e kandidatëve për deputetë që janë dorëzuar në KQZ. Neni 29, që flet për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatit, tregon se kush nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet”, ka thënë Elezi.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për T7 kanë treguar për procesin e verifikimit të kandidatëve.
“Ne si KGjK tashmë e kemi një databazë në të cilën janë të regjistruar të gjithë personat e dënuar me Aktgjykime të formës së prerë. Të dhënat nga ky regjistër mund të verifikohen në një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë. Dy ditë, për të bërë këtë verifikim janë mëse të mjaftueshme për ne si institucion. Procesi i verifikimit është fare i thjeshtë, meqë thjeshtë verifikohet nëse ndonjë kandidat i subjekteve politike ekziston në këtë databazë apo jo.”
Në rast se KGJK-ja gjen se persona që kanë kandiduar për deputetë kanë dënime të plotfuqishme, Komisioni Qendror Zgjedhor duhet t’ua refuzojë certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës.
Në listat e kandidatëve për deputetë të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, janë përfshirë disa persona të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.
Lëvizja Vetëvendosje ka 10 kandidatë me aktakuza aktive, dhe dy kandidatë të dënuar në tri vjetët e fundit. Në mesin e tyre janë Albin Kurti e Albulena Haxhiu, të cilët janë dënuar me kusht në shtatorin e vitit 2018 për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
AAK’ja ka tetë kandidatë më aktakuza aktive. PDK’ja ka katër kandidatë me aktakuza aktive dhe një të dënuar në tri vjetët e fundit.
Nisma ka një me aktakuzë aktive dhe dy të dënuar në tri vjetët e fundit. Njëri prej tyre është Besnik Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në mars të 2018-s.
Lista Serbe ka një me aktakuzë aktive dhe një të dënuar. Milan Aritonoviq nga Lista Serbe është i dënuar me 500 euro gjobë nga gjykata për raportim të rremë të pasurisë.
Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm një kandidat me aktakuzë aktive.
Këto janë të gjitha institucionet nëpër të cilat do të kalojnë listat e deputetëve për verifikim:
Germa ‘e’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është e) pjesëtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kemi kërkuar nga ky institucion të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Germa ‘c’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: c) pjesëtar i Policisë së Kosovës. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Germat ‘b’ dhe ‘k’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: b) pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe k) pjesëtar i forcave të armatosura të ndonjë shteti. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët përmbushin edhe këtë kriter, kemi kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë pjesëtarë të forcave të armatosura të Kosovës.
Germa ‘g’ në nenin 29 thekson se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: g) përfaqësues diplomatik. Prandaj, për t’u siguruar që kandidatët nuk janë përfaqësues diplomatik, kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme të na dërgojë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë përfaqësues diplomatik.
Germat ‘a’, ‘p’ dhe ‘q’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është: a) gjykatës apo prokuror në Kosovë ose gjetkë; p) me anë të vendimit të gjykatës i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) i shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit. Prandaj, kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës; nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe nëse janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit;
Germat ‘o’, ‘r’, dhe ‘s’ në nenin 29 theksojnë se kandidat nuk mund të jetë një person të cilit o) me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it i është hequr e drejta për të qenë kandidat; r) ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe s) ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhëri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të na dërgojnë emrat e personave nga lista e kandidatëve nëse janë subjekt i vendimit të PZAP-it për t’iu hequr e drejta për të qenë kandidat; nëse kanë dështuar të paguajnë gjobën e vënë nga PZAP-i; dhe nëse kanë dështuar t’i përmbahen ndonjë urdhri të PZAP-it.
Në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim ndërinstitucional ne kemi kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të na përgjigjen në kërkesat tona për verifikim.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...