Besimi i qytetarëve të Kosovës në premtimet që partitë politike i japin gjatë fushatave parazgjedhore dhe zgjedhore, është mjaft i ulët , thonë disa qytetarë të Prishtinës.
Qytetarët do të jenë mosbesues edhe ndaj premtimeve që do t’u japin këto parti para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt, thotë analistja Jeta Krasniqi.
Qytetarët, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se përvojat e deritashme nga fushatat zgjedhore të kaluara, kanë treguar se pjesa më e madhe e premtimeve të partive politike, që garojnë për ulëset e Kuvendit të Kosovës dhe për të qeverisur vendin, nuk përkojnë me realitetin.
Për më shumë, siç thonë ata, premtimet që eventualisht kanë pasur bazë reale për t’u realizuar, të shumtat nuk janë realizuar.
Qytetarët: Premtimet e parealizuara
Dorina Lluka nga Prishtina, thotë që realiteti i krijuar në Kosovë lë pak hapësirë që t’iu besohet premtimeve të partive politike.
“Ju besoj shumë pak. Ndoshta është koha që partitë të reformohen dhe të kuptojnë që nuk munden vetëm të premtojnë dhe të mos realizojnë (premtimet). Sidomos është shumë i rëndësishëm aspekti i investimit te të rinjtë. Besoj që të gjitha partitë duhet ta kenë prioritet investimin konkret te të rinjtë, sidomos për edukimin joformal. Ne e shohim se të rinjtë tërë kohën janë rrugëve. Nganjëherë edhe nuk shohin shpresë. Kështu që obligim moral i secilës parti është që të inkuadrojë planifikimet strategjike për të rinjtë, të mundohen që t’i përfshijnë ata, por edhe t’i realizojnë në rast se fitojnë”, tha Lluka.
Shqipërim Rudaku, një i ri nga Prishtina, i cili në zgjedhjet e sivjetme do të dalë për herë të parë që të votojë, thotë se e ka humbur besimin në shumicën e partive politike si dhe në premtimet e tyre.
Megjithatë, ai thekson se edhe premtimeve të partisë, të cilën ka vendosur që ta votojë, so t’iu besojë vetëm gjysmës së tyre.
“Ky 50 për qind i besimit është vetëm për një prej partive. Vetëm për një, sepse këto tjerat na kanë ardhur te hunda duke na gënjyer, për liberalizimin e vizave, që është edhe e nevojshme për ne. Për të tjerat mos t’i përmendim fare, për vende të punës dhe të tjera. Tash për tash jo, nuk u besoj, e pastaj të shohim”, tha Rudaku.
Mendim të përafërt ka edhe Ismet Namani nga Prishtina. Ai shpreh mendimin që premtimet që partitë politike do të japin gjatë fushatës zgjedhore, do të jenë premtime klishe.
Deri më tash, siç thotë ai, partitë politike, në përgjithësi, rrallëherë kanë mbajtur premtimet që kanë dhënë. Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë humbur besimin në to dhe në premtimet e tyre.
Ai thotë se madje do të ishte i kënaqur sikur partitë politike të realizonin vetëm gjysmën e premtimeve që japin.
“Nëse vetëm i afrohet 50 për qindëshit, ne jemi shumë të kënaqur. Mirëpo, kurrë nuk i janë afruar, as në të kaluarën e as tash nuk do t’i afrohen. Kjo është e dhimbshme. Tash e 21 vjet, vetëm ta marrim rastin e shëndetësisë. Nuk ka subjekt politik që s’ka folur për shëndetësi tash e 21 vjet. Çfarë të besojmë më shumë? Tash e 21 vjet ne nuk kemi sigurime shëndetësore”, theksoi Namani.
Ndëshkimi i shkelësve të premtimeve, mesazh nga qytetarët
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë pë Radion Evropa e Lirë se partitë politike, në vazhdimësi në fushatat zgjedhore të disa palë zgjedhjeve me radhë, kanë dhënë premtime, të cilat nuk kanë qenë në përputhje me realitetin.
Siç thekson ajo, partitë politike kanë bërë premtime për punësime me shifra shumë të mëdha që nuk ishin në përputhje me buxhetin e vendit, premtime për rritje pagash, për barazi gjinore dhe shumë të tjera, të cilat nuk kanë arritur të adresohen në programet qeveritare, në momentin kur partitë e caktuara kanë ardhur në pushtet.
Se a do të bëjnë premtime të ngjashme partitë politike në fushatat e tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit dhe a do t’u besojnë qytetarët premtimeve të tilla eventuale, siç thotë ajo, mbetet të shihet.
Por, sipas saj, në zgjedhjet e kaluara, qytetarët kanë ndëshkuar partitë politike, të cilat nuk i kanë mbajtur premtimet e dhëna më parë.
“Qytetari i Kosovës, nëse e shohim nga zgjedhjet e kaluara, ka votuar për partitë, të cilat kanë premtuar se do të ketë luftim të korrupsionit, që do të ketë një shëndetësi më të mirë dhe arsim më të mirë. Pra, mesazhi i qytetarëve të Kosovës ndaj partive politike është shumë i qartë.
Tani u mbetet partive politike që t’i përmbushin, në radhë të parë, ato çfarë premtojnë, por që edhe premtimet e tyre të jenë realiste. Pra, që të jenë premtime që janë në përputhje me kushtet apo aftësitë e Kosovës. Shohim premtime miliardëshe, ndërkohë që Kosova e ka një buxhet të limituar”, theksoi Krasniqi.
Premtimet nga zgjedhjet e vitit 2019
Në fushatat zgjedhore për zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat u mbajtën më 6 tetor të vitit 2019, partitë politike kishin dhënë premtime të ndryshme, por edhe të përbashkëta në pika të caktuara.
Lëvizja Vetëvendosje premtoi fuqizimin e sektorit privat me paga, rritjen e vendeve të punës, shtet të fortë ligjor, efektivitet të shtuar të sistemit të drejtësisë, arsimim dhe shëndetësi cilësore dhe vendosje të masave reciproke me shtetin e Serbisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës premtoi se programi i saj do të fokusohet në interesat e vitale të qytetarëve, për zhvillim ekonomikisht, shanse të barabarta për të gjithë dhe drejtësi për të gjithë, edukim dhe shëndetësi cilësore, si dhe kthim të shtetit në rrugën e demokracisë së njëmendtë, lirisë dhe përparimit.
Partia Demokratike e Kosovës premtoi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e ligjit, respektin e të huajve ndaj Kosovës, mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit, bashkëjetesën e të gjithë qytetarëve të vendit dhe fuqizimin e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, pati premtuar se nuk do ta heqë taksën prej 100 për qind për mallrat e Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njohë Kosovën në kufijtë ekzistues, zhvillimin ekonomik, të shëndetësisë dhe të arsimit, forcimin e shtetit ligjor dhe sistemit të gjyqësorit.
Koalicioni i Nismës Soacialdemokrate, Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë, premtoi se prioritet i këtij koalicioni do të ishte politika e jashtme e Kosovës dhe dialogu me Serbinë, investimet në ekonomi dhe bujqësisë, sundim të ligjit, si dhe stimulimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Krasniqi: Fushatë me akuza të ndërsjella
Analistja Krasniqi shpreh mendimin se partitë politike nuk do ta ndryshojnë qasjen e tyre me premtime as për zgjedhjet e sivjetme. Sipas saj, partitë politike do të premtojnë pa mbulesë reale edhe gjatë fushatave të tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Besoj që do të vazhdohet njësoj. Tani mbetet të shihet, sepse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata, por do të mbesin te premtimet e njëjta.
Diçka shtesë që mund të shohim këtë herë, ka të bëjë edhe me rikëmbjen ekonomike, si pasojë e COVID-19. Aty do të shohim premtime më të mëdha, qoftë për bizneset apo për të mbështetur qytetarët. Pjesa tjetër që do të shohim janë akuzat dhe kundërakuzat ndërmjet partive politike, duke akuzuar njëra-tjetrën, në mënyrë që të fitojnë më shumë vota nga elektorati”, u shpreh Krasniqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, partitë politike do të kenë dhjetë ditë në dispozicion për të bërë fushatë, nga data 2 deri më 13 shkurt.
Ndërkohë, në mënyrë jozyrtare, partitë politike tashmë kanë nisur fushatat e tyre dhe në disa raste edhe me tubime me aktivistët dhe pasuesit e tyre, gjë që, siç është komentuar, bie ndesh me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe me Ligjin për parandalimin e pandemisë së koronavirusit./REL/
Vazhdon procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së
NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse
Përgjigjja e shkencëtarëve: Si ndikon menjëherë në shëndet k...
Lela nuk ndjehet mirë pas Prime, çka i ndodhi?
Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga qershori
Gjermania përpilon listën e bunkerëve që mund të ofrojnë str...