BE: Izraeli të lehtësojë mbajtjen e zgjedhjeve palestineze

20:04 | 16 Janar 2021
Arbresh.info

BE përshëndeti sot njoftimin nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas për organizimin e zgjedhjeve në maj dhe korrik, duke i kërkuar Izraelit të lehtësonte mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin palestinez.

Këto zgjedhje legjislative dhe presidenciale, të parat që prej 15 vitesh, u njoftuan dje, në kontekstin e afrimit mes partisë Abbas, Fatah dhe rivalëve islamikë të Hamasit.

“Ky është një lajm i mirëpritur”, theksoi një zëdhënës i shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell në një komunikatë.

“BE ka mbështetur dhe financuar vazhdimisht punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë palestinezët dhe është e gatshme të bashkëpunojë me aktorët përkatës për të mbështetur procesin zgjedhor”, vijon deklarata.

“BE gjithashtu u bën thirrje autoriteteve izraelite të lehtësojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në të gjithë territorin palestinez”, shtoi zëdhënësi./ATSh/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme