Google ADS

Prokuroria Speciale e ndryshon aktakuzën ndaj të akuzuarit për krime lufte në Pejë, e akuzon edhe për krime të tjera ndaj civilëve

16:55 | 15 Janar 2021
Arbresh.info

Me arsyetimin se provat e administruara në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në lagjen “Kristal” të Pejës, Zoran Gjokiq, tregonin një gjendje tjetër faktike, prokurorja speciale Habibe Salihi para gjykatës këtë të premte paraqiti aktakuzën e ndryshuar dhe të zgjeruar.

Gjokiq po akuzohet se gjatë muajit mars – prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionaliteti serb, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake u kishin shkaktuar vuajte të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, aplikim të masave të frikësimit, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, plaçkitje të një qyteti ose vendi, urdhërimin për zhvendosjen e popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rrjedhimisht, sipas aktakuzës së ndryshuar, tani i akuzuari Gjokiq po akuzohet nga PSRK-ja se gjatë periudhës së luftës, kishte kryer edhe krime të tjera që kualifikohen si krime lufte, të përfshira tanimë në dy vepra penale të ndara.Me zgjerimin e aktit akuzues nuk është pajtuar mbrojtësi i të akuzuarit Gjokiq, avokati Ljubomir Pantoviq, i cili një veprim të tillë të prokurores e ka cilësuar të jashtëligjshëm.Sipas avokatit Pantoviq, aktakuza e ndryshuar dhe zgjeruar nuk kishte pjesën e saj arsyetuese, e që kjo ua pamundëson atyre të kuptojnë se mbi cilat prova e njëjta është ndryshuar.

“Fillimisht tu informoj se aktakuzën e ndryshuar dhe të zgjeruar e kam marrë para 3 ditëve, më 12 janar, ndërsa ju informoj se i akuzuari nuk e ka pranuar ende këtë aktakuzë të zgjeruar. Ka qenë koha e shkurtër dhe s’kam mundur të shprehem në mënyrë të shkruar. Unë nuk e kundërshtoj të drejtën formale që ta ndryshoj dhe zgjeroj aktakuzën, por e kam përshtypjen se kjo është bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Ky ndryshim dhe zgjerim nuk e ka arsyetimin, kështu që ne nuk mund të shohim nga cilat shkaqe, cilat janë ato prova në bazë të të cilave është ndryshuar dhe zgjeruar aktakuza”, tha avokati Pantoviq.

Ndryshimi i aktit akuzues në dëm të klientit të tij, sipas avokatit Pantoviq, ishte bërë sipas autorizimit të përfaqësuesit të palëve të të dëmtuara në këtë proces, avokatit Kujtim Kërveshi.

“Unë besoj që prokuroria nuk e ka pasur qëllimin ta ndryshoj aktakuzën por se kjo ka qenë autorizim i avokatit të palëve të dëmtuara, ngase kolegu para më shumë se 1 muaji, në një emision informativ në RTK, lajmet qendrore, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka paralajmëruar se kjo aktakuzë do të zgjerohet, dhe kjo edhe ndodhi”, shtoi avokati Pantoviq.

Ky mendim i avokatit Pantoviq u kundërshtua nga prokurorja Salihi dhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, avokati Kujtim Kërveshi.

Fillimisht, prokurorja Salihi deklaroi se ndryshimi i aktakuzës ishte bërë në harmoni me dispozitat ligjore, të cilat e obligojnë atë që në çdo rast kur ndryshon gjendja faktike, të bëjë zgjerimin dhe ndryshimin e aktit akuzues konform këtyre provave.

Ndërsa, avokati Kërveshi tha se deklarimi i tij, i bërë për televizionin publik, hynte në kuadër të lirisë së shprehjes dhe duke iu drejtuar avokatit Pantoviq shtoi se mbrojtja në mungesë të argumenteve nuk është mbrojtje, kur i keq citon shprehjet e kolegut.

“Në intervistë unë kam thënë se mendoj, me hi tash me fol për lirinë e shprehjes, të drejtën e fjalës, kur dikush thotë unë mendoj, sipas praktikës së GjEDNJ, e mbyll çdo lloj diskutimi. Nga durimi im profesional e kam pritur një arsyetim të tillë, pas seancës së dytë, nga avokati mbrojtës dëshmitë e të dëmtuarve janë quajtur të rremë, sajti i portalit është “koset”. S’e kam menduar asnjëherë se mbrojtja në mungesë të argumenteve është mbrojtje, kur i keq citon citimet e kolegut”, tha përfaqësuesi Kërveshi.

Më pas, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti mori vendim që të përfshijë në këtë gjykim edhe veprën penale të re që i ngarkohet të akuzuarit, me arsyetimin se ekzistonte identiteti objektiv dhe subjektiv i çështjes.

Me kërkesë të avokatit Pantoviq, pas ndryshimit dhe zgjerimit të aktit akuzues, gjykatësi Hoti mori vendim që kjo seancë të ndërpritet, me qëllim që t’i jepej kohë avokatit që të përgatisë mbrojtjen.

Po ashtu, gjykatësi Hoti në këtë seancë mori vendim që të aprovojë pjesërisht propozimin e avokatit Kërveshi, duke lexuar si provë komentet e bëra në rrjetet sociale nga i akuzuari Gjokiq.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më datë 4 shkurt nga ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ndryshuar, në pikën e parë të saj, i akuzuari Zoran Gjokiq akuzohet se gjatë muajit mars – prill , të vitit 1999 gjegjësisht me dt. 29.03. 1999, në lagjen “Kristal ‘në Pejë, duke bashkëvepruar me një grup të organizuar kriminal të nacionalitetit serb, në mesin e të cilëve ishte edhe një person i quajtur Dragan si dhe NN persona të paidentifikuar deri më tani, të veshur me uniforma policore, paramilitare dhe ushtarake u kanë shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose shëndetit, kanë aplikuar masa frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile kanë kryer vrasje plaçkitje të një, qyteti ose një vendi, kanë urdhëruar zhvendosjen e popullatës civile për shkaqe që lidhen me konfliktin drejtuar me qëllim, kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civil që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme