Sulmi në Kapitol, akuzë penale ndaj fituesit të 5 medaljeve të arta olimpike në not

01:47 | 15 Janar 2021
Trina Galanxhi

Departamenti i Drejtësisë lëshoi ​të mërkurën një urdhër arresti ndaj kampionit në garat e notit, Klete Keller, nën dyshimet se ka marrë pjesë në ngjarjet e javës së kaluar në ndërtesën e Kapitolit në Uashington.

Keller, i cili ka fituar 5 medalje të arta olimpike u identifikua si një ndër mbështetësit e Donald Trump-it që sulmuan Kapitolin javën e kaluar.

Padia penale e ngritur kundër tij përfshin pamje filmike që dyshohet se tregojnë zotin Keller në një nga mjediset e brendshme të Kapitolit veshur me një xhaketë ku shquhej shenja e Ekipit Olimpik të Shteteve të Bashkuara.

Federata Amerikane e Notit nuk pranoi të komentojë nëse mund të konfirmonte se zoti Keller ishte pjesë e turmës që hyri në Kapitol. Gjithashtu edhe përpjekjet për të siguruar një koment nga vetë zoti Keller ishin të pasuksesshme.

Një grua që u përgjigj në telefon për agjencinë e pasurive të patundshme me bazë në Kolorado dhe Ohajo, ku punon zoti Keller, i tha agjencisë Reuters “se nuk kemi komente” mbi këtë çështje.

Në një nga videot, e cila u sigurua nga një reporter i faqes konservatore informative “Townhall”, një person i identifikuar si zoti Keller, shihet mes turmës së oficerëve të policisë tek përpiqen për të dalë nga Kapitoli.

Revista e përmuajshme dedikuar notit “Swimming World” shkruante se kishte konfirmuar përmes burimesh se zoti Keller ishte parë në Kapitol, duke shtuar se pamjet filmike nuk tregojnë kryerjen e ndonjë akti dhune nga ana e 38-vjeçarit.

Sipas “New York Times”, zoti Keller i ka fshirë llogaritë e tij në rrjetet sociale, disa prej të cilave, siç shkruante gazeta, përpara se të fshiheshin përmbanin një lum mesazhesh pro-Trump-it postuar gjatë viteve të fundit.

Më 6 janar zoti Trump nxiti mijëra mbështetës të marshojnë drejt Kapitolit gjë që më pas shkaktoi kaos. Turma e njerëzve që hyri me forcë në godinë dëmtoi ndërtesën dhe u bë shkak për evakuimin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve. Si pasojë pesë persona mes tyre një oficer policie humbën jetën./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme