Greqia, kritika për mos zbatimin e Marrëveshjes së Prespës

16:38 | 14 Janar 2021
Arbresh.info

Thuajse dy vjet pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ne pranojmë se është punuar në drejtim të zbatimit të ndryshimit të emrit. Megjithatë nevojitet më shumë progres në zbatimin e qëndrueshëm të terminologjive nga të gjitha institucionet publike dhe enitetet private, përfshirë faqet e internetit. E nga ana tjetër mënjanimin e programit të antikuizimit, largimin e Diellit të Virxhinias nga të gjitha vendet publike dhe përdorimet, riemërimin e rrugëve dhe objekteve publike.

Kryediplomati i Greqisë, Nikos Dendias ia tërhoqi vërejtjen Maqedonisë së Veriut për mos-zbatim të mjaftueshëm të Marrëveshjes së Prespës, duke ia listuar ngecjet. Dendias u shpreh i prerë se Shkupi duhet ta zbatojë tërësisht marrëveshjen dypalëshe, nëse e do mbështetjen e Athinës në rrugën drejt integrimit në BE.

“Greqia është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike, që të mbështesë përpjekjet e marra nga vendet e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE. Por në këtë kontekst, më lejoni të theksoj se zbatimi i plotë, i qëndrueshëm dhe me mirëbesim i Marrëveshjes së Prespës është rruga për sigurimin e progresit që kërkojmë- deklaroi Nikos Dendias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Por edhe pas kritikave të drejtpërdrejta të Dendiasit, në konferencën e përbashkët në Athinë, ministri, Osmani nuk doli nga klisheja e shprehjes së mirënjohjes ndaj Greqisë për mbështetjen e vendit në rrugën e euro-integrimeve.

Bashkëpunimi diplomatik demonstron qëllimin tonë për thellim të bashkëpunimit, veçanërisht për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, për të cilën presim mbështetje të fuqishme nga miqtë tanë nga Republika Helene. Si fqinj i afërt dhe anëtar në BE, e falënderoj Greqinë për pozicionin parimor, në mbështetje të aspiratave tona evropiane dhe fillimin e negociatave për anëtarësim, përmes konferencës së parë ndërqeveritare. Presim që kjo mbështetje parimore të vazhdojë në të ardhmen”- pohoi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Në përputhje me Marrëveshjen e Prespës dhe planit aksionar, Dendias dhe Osmani nënshkruan tre memorandume bashkëpunimi, në sferën e akademive diplomatike të dy vendeve, mbrojtjen civile dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ndryshe, Alsat në vazhdimësi raporton se Marrëveshja e Prespës nuk po zbatohet sipas dinamikës së parashikuar. Në disa sfera ka vonesa e në të tjerat ngecje. Për shembull, rishikimi i teksteve shkollore, që duhej të përfundonte brenda një viti nga arritja e marrëveshjes, as që ka filluar./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme