Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Republikën Helene, pas marrjes së funksionit, realizoi takim me homologun e tij Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. njoftojnë nga Ministria e Jashtme.
Fokusi i bisedimeve mes dy kolegëve, nga të dyja vendet, ishte vendosja e kornizës për aktivitetet e radhës të të dyja vendeve që vijojnë sipas Planit Aksional për bashkëpunim dhe zbatimin e Marrëveshjes për Partneritet Strategjik (të njohur si Marrëveshja e Prespës). Përskaj temave dominuese për intensifikimin dhe avancimit e bashkëpunimit ekonomik, përmes bashkëpunimit më të madh të Odave Ekonomike, në pjesën e infrastrukturës, për lehtësimet e lëvizjeve ndërkufitare të qytetarëve, energjetikës, u bisedua edhe për thellimin e mëtejmë të dialogut politik, për miqësinë dhe raporte të mira me fqinjët, si dhe politikat e ndërtimit të së ardhmes së përbashkët evropiane.
“Është kënaqësi e vërtetë të fillohet viti me këtë vizitë të suksesshme në Greqi. Qëllimet tona të sinqerta janë që ta kalojmë pragun e fqinjësisë së mirë, si narrativ politik korrekt, dhe të vendosim bazë për ndërtimin e një miqësie më të thellë afatgjate mes dy vendeve, si shprehje më e lartë e suksesit të politikës dhe diplomacisë”, tha Osmani.
Integrimet evropiane dhe aleanca në NATO, gjithsesi ishin një nga temat e bisedës mes dy homologëve, në këtë kontekst.
“Si fqinj i drejtpërdrejt, njëherësh edhe anëtare e BE-së, vlerësoj se është shumë e rëndësishme mbështetja parimore nga ana e Greqisë për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, pa vonesë. E çmojmë këtë përkrahje dhe vlerësoj si njërën prej imputeve kryesore në krijimin e miqësisë afatgjate mes dy vendeve. Në këtë drejtim dua të theksoj edhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përmes angazhimit mes dy shteteve për ruajtjen e hapësirës ajrore, që në masë të madhe kontribuon për avancimin e besimit mes dy vendeve në plan politik dhe të sigurisë”, tha Osmani.
Në drejtim të angazhimit të përforcuar të të dyja vendeve për pasurimin e bashkëpunimit bilateral, gjatë kohës së vizitës zyrtare të Osmanit në Greqi u nënshkruan tre Memorandume për mirëkuptim mes dy vendeve për bashkëpunim në fushën e investimeve dhe tregtisë së jashtme mes ndërmarrjeve “Greqia CA” dhe “Invest Maqedonia e Veriut”, për bashkëpunim mes Ministrive për Punë të Jashtme në edukimin e diplomatëve dhe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes civile.
“Në veçanti gëzohem që vizitën e sotme e kurorëzojmë me nënshkrimin e tre Memorandumeve të rëndësishme për bashkëpunim. Gjithmonë kam thënë se ekonomia dhe biznesi duhet t’u prijnë marrëdhënieve tona, obligim i yni është që përmes këtyre Memorandumeve, përmes bashkëpunimit politik, të krijojmë të gjitha kushtet për avancimin e mëtejmë të shkëmbimit tregtar, shkëmbimit në fushën e turizmit, investimet, si përfitim më i sigurt dhe më i kapshëm për qytetarët. Para nesh qëndrojnë projekte serioze infrastrukturore dhe energjetike: përmes ndërtimit të interkonjeksionit për përcjelljen e gazit, lidhjen e vendeve përmes gazsjellësit, rikonstruimin e naftësjellësit ekzistues, pjesëmarrje në ndërtimin e terminalit të gazit Aleksanderpolis, lidhjen hekurudhore, lidhjen rrugore dhe gjithsesi hapjen e pikave të reja kufitare në Markova Noga- Lemis dhe Majden – Promahoi”, potencoi Osmani.
Në Agjendën e Ministrit në kuadër të vizitës zyrtare në do të jenë edhe takimet me Presidenten e Republikës Helene, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin alternativ për Çështje Evropiane, Miltiadis Varvitsiotis./Telegrafi/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?